Albin Kurti: S’morëm premtim nga Franca për heqjen e vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk kanë marrë një premtim nga Franca skeptike për heqjen e vizave për kosovarët.

Ai, në një intervistë për radiotelevizionin publik, deklaroi se Franca e ka marrë mesazhin e Kosovës që është e padrejtë që qytetarët e saj ende kanë regjim të vizave.

“Sigurisht që qytetarët e Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të kritereve ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik bëhen tri vjet prej se Komisioni Evropian ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen vizate. Kjo temë është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, por s’ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”.

“Kishim takim mes Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe kolegut të tij francez i cili takim u përqendrua në aspektet teknike të sundimit të ligjit. Ne kemi luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka luftim të suksesshëm të trafiqeve, si dhe drastikisht ka rënë numri i migrimeve. Mbase mund të shpresojmë që sado pak kjo vizitë ka ndikuar që Franca ta eliminojë skepticizmin, por s’mund të them se morëm premtim. Duhet të punojmë me Holandën”.