Kurti i cili ende nuk ka marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sot pa u konsultuar me ta ka zhvilluar një takim me Listën Serbe ku ka diskutuar rreth një koalicioni të mundshëm me ta.
Përpara zgjedhjeve të 6 tetorit, Kurti kishte vendosur vija të kuqe për partitë e PAN-it, PDK-në, AAK-në e Nismën si mundësi bashkëpunimi dhe kategorikisht kishte kundërshtuar përfshierjen e Listës Serbe në qeveri.
Kurti kishte shkuar edhe më tutje me deklarata rreth tyre duke i quajtur edhe “çetnikë” dhe duke thënë se nuk janë parti, por janë vet shteti i Serbisë.
“Ambasadë e Serbisë në Kosovë”, “Instrument i Beogradit”, “çetnikë”, janë vetëm disa nga epitetet që Kurti ua kishte dhënë këtij subjekti politik përpara zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ai madje kishte thënë se nën udhëheqjen e tij qeveria nuk do të varet nga Lista Serbe dhe se me këtë parti brenda, shteti do t’i kishte dy kryeqytete, Prishtinën dhe Beogradin.
Por, Kurti ka ndryshuar qëndrim, jo për partitë shqiptare, por për Listën Serbe. Ai në pamundësi të arritjes së një marrëveshje me LDK-në, sot ka ftuar Listën Serbe për të diskutuar rreth koalicionit.
Karshi këtij takimi, Kurti vazhdon t’i mbajë qëndrimet e njëjta karshi partive shqiptare, PDK, AAK e Nisma.
Përfaqësuesit e Listës Serbe pas takimit me Kurtin kanë kërkuar nga ky i fundit edhe një qeveri më shumë duke deklaruar gjithashtu se Kurti nuk mund ta formojë qeverinë pa ta.
Në anën tjetër, ani pse, përveç PDK-së që ka deklaruar se nuk do të jetë në asnjë variant pjesë e qeverisë, AAK e Nisma nuk e kanë refuzuar një mundësi të tillë, por këto dy subjekte nuk janë ftuar nga Kurti.
Kurti për këto veprime është kritikuar ashpër edhe nga ish-bashkëpartiakët e tij, tani anëtarë të Partisë Socialdemokrate.
Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së është shprehur se Kurti tani po bën koalicion me ata që dikur i quante shteti i Serbisë, ndërsa Frashër Krasniqi ka përmendur një deklaratë të Kurtit ku ai Listën Serbe i quan “ambasadë të Serbisë në Kosovë”.
Vlen të theksohet fakti se Kurti ka ftuar seancë plenare të hënën ku pritet të hidhet në votim qeveria e tij, por nuk dihet se kush do të jetë pjesë e kësaj qeverie.