Albin Kurti flet për gazetën LAJM: Serbia rrëmben njerëz, për të rrëmbyer territore (Video)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qendron në Strugë në kuadër të Forumit Prespa për dialog, ka komentuar rrëmbimin e tre policëve kosovar që ndodhi ditë më parë nga forcat serbe. Në një prononcim për gazetën LAJM, Kurti tha se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe ka ftuar faktorin ndërkombëtar ta dënojë agresionin serb.

“Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Kjo ta kujton rrëmbimin e tre marincave amerikan më datë 31 mars 1999, kur aktivisti për të drejtat e njeriut nga SHBA-të Xhesik Xhonson pati ndërmjetësuar me Millosheviqin për lirim ose tre vëllezërit Bytyqi që u vranë më 8 korrik pasiqë u kidnapuan më 23 qershor të vitit 1999. Bëhet fjalë për një shtet i cili rrëmben njerëz për të rrëmbyer territore dhe rrëmben territore për të rrëmbyer njerëz. Për ata të cilët kanë pasur dilema kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë dhe ne kërkojmë që faktorët ndërkombëtarë, në veçanti NATO dhe BE që ta dënojnë agresionin e Serbisë dhe në të njejtën kohë t’i vendosin sanksione Serbisë, e cila nuk distancohet as nga e kaluara, pra Millosheviqi, as nga e tashmja e tyre, pra presidenti despotik Putini”, tha Kurti për gazetën LAJM.