Albin Kurti 2014

Shkruan: Agim Vuniqi

Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale nuk duhet të vlejë vetëm për Kosovën, por edhe për Kosovën Lindore, për Malësinë e Madhe…

Tjetër është të jepen formulimet gazetareske të analistëve, duke pranuar edhe prognozimet e tyre, por jo e një grupi përfaqësuesish që pretendojnë të zgjedhin statusin e pakicave në disfavor të interesit nacional (?), që do të kurorëzohej me divorc të natyrshëm nga Serbia. Ky grup duhet të kuptojë se duhet të marrë hapa konkret dhe me përgjegjësi, nuk duhet të lejojë që vazhdimisht të jetë pre e eksperimenteve ndërkombëtare, as atyre brenda-shqiptare, por të barrikadojë qëndrimet për të mos hezituar me marrë vendime të përgjegjshme.

Së pari duhet të bindin të tjerët se vërtet janë stoik në kërkesat e tyre të natyrshme për më shumë të drejta kolektive sipas Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale; autonomi politike dhe territoriale, për të gjithë në rajon jo vetëm loja që bëhet me Kosovën dhe me bisedimet e fabrikuara me Serbinë. Nëse nuk kanë një guxim të tillë këtë pyetje mund t’ua shtrojnë qytetarëve përmes votës.

A e duan vërtetë lirinë me të gjitha konsekuencat e mundshme, apo jo, apo do të vazhdojnë të luajnë lojëra të simulimit politik, herë kështu e herë ashtu? Institucionalistët e Kosovës duhet të rrisin esencialisht kërkesat politike, të një jete normale, të barabartë me të tjerët, jo të lejohet që Serbia të neutralizojë të drejtat e tyre me legalizimin e diskriminimit të shqiptarëve në veri, por për këtë të kujdesen duke i bërë të hapura kërkesat në raport me Serbinë dhe duke kërkuar të njëjtën gjë që propozoi BE-ja për serbët e veriut, të pranohet edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe ata në Malësinë e Madhe, të vëhet balansi politik, a nuk janë shqiptarë ata të cilët jetojnë në Vojvodinë, në Beograd, të cilët frikohen të flasin shqip, a nuk është ky fashizëm i hapur…