Albi Qamili: S’kemi komunikim me të vetëpërjashtuarit, vjen rikonstruim i Qeverisë

Zëvendëskryetari i Tetovës dhe njëherazi zëdhënës i Lëvizja Besa, *Albi Qamili*, në një prononcim për TVM2 ka deklaruar se Fatmir Limani prej kohësh është i vetëpërjashtuar nga partia dhe se strukturat e Besës nuk merren me reagimet e tij.

Sipas Qamilit, individët që shprehin pakënaqësi ndaj bashkimit politik janë persona që tashmë nuk kanë komunikim me partinë.

“Individët që ngrenë zërin apo shprehin pakënaqësi nga ky bashkim janë individë që ka kohë që janë vetëpërjashtuar nga Lëvizja Besa dhe nuk kemi aspak komunikim. Ne nuk kemi pritur më mirë nga ata individë, por sidoqoftë nuk do të merremi me reagime të izoluara dhe pakënaqësitë e tyre. Do të vazhdojmë me gjithë kapacitetin që kemi të përkushtohemi në misionin drejt shndërrimit të VLEN-it në një parti politike,” – deklaroi Qamili.

Ai shtoi se edhe kryetari i partisë, Bilall Kasami, ka shprehur pakënaqësi për performancën e disa funksionarëve, duke paralajmëruar një proces vlerësimi të brendshëm.

Sipas tij, në mbledhjen e fundit është vendosur që të bëhet një “skanim” i të gjithë funksionarëve, proces i cili pritet të pasohet me rikonstruim të Qeverisë.