Zv.kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i ftuar në Lajm TV, tha se me ardhjen e Bilall Kasamit në krye të komunës, puna në qytet nuk është ndalur asnjëherë. Ai theksoi se në mandatin e dytë, punimet në çdo sferë të qytetit kanë fituar intensitet.
Qamili përmendi se si zv.kryetar i Tetovës, qëllim i tij do të jetë realizimi i programit me të cilin kërkuan votat e qytetarëve, ndërsa prioritet do të ketë projektet rinore.
“Prioriteti im është realizimi i premtimeve gjatë fushatës, realizimi i programit me të cilin kërkuam votat e tetovarëve. Nëse do të veçoja diçka, janë projektet me rininë. VOtat në zgjedhjet e fundit i kam kërkuar kryesisht nga rinia. Sot në Tetovë po bëhen projekte infrastrukturore që kanë të bëjnë me rininë, po ndërtohen, pishina, salla sportive dhe ajo më e rëndësishmja është Qendra Rinore. Do ta institucionalizojmë Qendrën Rinore, në të cilën do të kemi aktivitete të shumta për rininë”, tha Qamili.
I pyetur për opozitën, ai tha se opozita kundërshton çdo gjë që vjen nga pushteti dhe u kërkoi që të jenë të përgjegjshëm para qytetarëve.
“Ka dallime politike që janë normale, por kam pritur më shumë konstruktivitet nga opozita. Opozita nuk e votoi vendimin për zbukurimin e qytetit të Tetovës. Ata katër vite me radhë kur nuk u zbukurua qyteti për shkak të gjendjes financiare që e lanë, nuk heshtën duke thënë se nuk zbukurohet qytetit. Ndërsa tani kur vendosëm ta zbukurojmë qytetin, ata nuk e votuan këtë. Këtë kulturë të destruktivitetit që të kundërshtosh çdo gjë që vjen nga pozita, nuk arrij ta kuptoj. Duhet të lëmë anash interesat partiake dhe të votojmë vendime që janë në të mirë të Tetovës”, tha Qamili.
Sa i përket emërimit të tij si zv.kryetar i komunës, ai tha se Bilall Kasami ka pasur nevojë për dorë të djathtë edhe për punët e përditshme, e jo vetëm për ta zëvendësuar dhe se këtë detyrë e ka marrë me mjaft përgjegjësi.




