Alarmon Krasniqi: Vuçiq po përgatitet për fillimin e luftës në Kosovë, ose ka luajtur mendsh, ose…

Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka komentuar paraqitjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në një konferencë të jashtëzakonshme sot në Serbi.

Ai ka thënë se presidenti serb po e përgatit popullin për fillimin e luftës në Kosovë, përcjell Bota sot.

Sipas profesorit, Vuçiq ose ka luajtur mendsh, ose po e kryen një urdhër të Putinit, për një luftë të re në Ballkan.

“Presidenti i Serbisë po i drejtohet kombit serb: nga ajo që po thotë, ai thjesht po e përgatitë për fillimin e luftës në Kosovë. Taktikën e njëjtë e ka përdorë Serbia në vitet 80, kur paraqiste serbët si viktima në Kosovë.

Vuçiqi po flet për varre të prishura, për kisha të sulmuara e të plaçkitura, për serbë të arrestuar pa hak, për parulla me UÇK në Kosovë. Nga kjo që po thotë, ky ose ka luajtur mendsh, ose po e kryen një urdhër të Putinit, për një luftë të re në Ballkan”, ka shkruar Krasniqi, në një postim në Facebook.

Në konferencën për media, Vuçiq ka paraqitur disa foto, në njërën prej të cilave ishte një bluzë me hartën e Kosovës dhe mbi të flamuri serb me mbishkrimin, që do të thotë nuk heqim dorë./BS