Alarmohet India: Rriten rastet vdekjeprurëse të amebës që “han trurin”

Një rritje e rasteve të një forme të rrallë, por fatale të encefalitit, i ka vënë autoritetet në shtetin jugor të Indisë, Kerala, në gatishmëri, duke i detyruar ato të shtojnë testimet për të adresuar atë që ata e quajnë një sfidë serioze të shëndetit publik, raporton Reuters.

Kerala ka raportuar rreth 69 raste të meningoencefalitit amebik primar (PAM) që nga fillimi i këtij viti, përfshirë 19 vdekje pas kontaktit me Naegleria fowleri, e njohur zakonisht si ameba “që ha trurin”, tha ministrja e shëndetësisë e shtetit të mërkurën.

Tre nga vdekjet ndodhën muajin e fundit, përfshirë atë të një foshnje tremuajshe.

“Ndryshe nga viti i kaluar, nuk po shohim grupe të lidhura me një burim të vetëm uji. Këto janë raste të vetme, të izoluara, gjë që ka komplikuar hetimet tona epidemiologjike”, u citua të thoshte ministrja Veena George.

Vitin e kaluar, shteti raportoi 36 raste të PAM dhe nëntë vdekje.

Encefaliti amoebik është një infeksion i rrallë por vdekjeprurës i sistemit nervor qendror i shkaktuar nga amebat që jetojnë të lira dhe gjenden në ujëra të ëmbla, liqene dhe lumenj, tregoi një dokument i qeverisë së Keralës.

Nga dy llojet e encefalitit amoebik, encefaliti amoebik primar është gjetur në Kerala dhe shkaktohet nga Naegleria fowleri, tregoi dokumenti.