Edhe mëngjesi i sotëm ka nisur me ankth për nxënësit dhe prindërit në Tetovë. Disa shkolla fillore dhe të mesme kanë pranuar sërish kërcënime për mjete shpërthyese përmes postës elektronike.
Policia ka evakuuar menjëherë nxënësit dhe stafin, ndërsa ekipet antiterror po kontrollojnë objektet. Kjo situatë e përsëritur po shkakton revoltë të madhe te prindërit, të cilët shprehen të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre dhe ndërprerjen e vazhdueshme të mësimit.
Deri më tani, të gjitha alarmet e mëparshme kanë rezultuar të rreme, por autorët mbeten ende të paidentifikuar, duke lënë qytetin në gjendje pasigurie.





