Akuzë për kthim të paligjshëm të TVSH-së mbi 1 miliard denarë

Shtatë persona dhe 13 subjekte juridike janë akuzuar nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për bashkëpunim kriminal, mashtrim fiskal, shmangie tatimore dhe pastrim parash, ku shteti është dëmtuar për mbi 1,3 miliardë denarë.
Sipas akuzës, grupi ka formuar subjekte juridike ku anëtarët ishin pronarë dhe menaxherë formal, me qëllim të përfitimit të paligjshëm të TVSH-së. Ata krijonin dhe shkëmbenin fatura me përmbajtje të rreme, duke regjistruar transaksione të pronës së paluajtshme që nuk ishin kryer, dhe përmes kësaj përfitonin 1.348.996.831 denarë.
Paratë e përfituara u transferuan mes subjekteve për të fshehur origjinën e tyre, ndërsa një pjesë u përdor për blerje prone, shlyerje kredie, tërheqje cash dhe pagesa për material ndërtimi.
Përveç kësaj, është dorëzuar edhe propozim për sekuestrim dhe konfiskim të pasurive të përfituara nga krimi, të cilat më parë ishin të ngrira me masa të përkohshme, si dhe propozim për vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarin kryesor dhe masa të kujdesit për të dytin.
Një pjesë e akuzave ndaj personave të tjerë u refuzua për mungesë provash, ndërsa dosjet për veprimet e inspektorëve tatimorë u dërguan në Prokurorinë Themelore Strumicë për procedim të mëtejshëm.