Shkruan: Muhamed Halili
I lexoj dhe rilexoj me kujdes disa fragmente nga libri “Maqedonia” të Alice Ackerman dhe befasohem e mbetem i habitur se sa kanë ndryshuar kohërat dhe botëkuptimet politike ndër ne shqiptarët në Maqedoni. Dhe sa herë i lexoj dhe rilexoj ato shkrime dhe kur e krahasoj realitetin e sotëm politik dhe veprimet e disa politikanëve të sodit, një thënie e Tomas Hobbes, një filozofi të famshëm anglez, shkruar në veprën e tij “Leviatan” (1651) më vërvitet në mendje dhe më duket se është realiteti ynë i sotëm politik shqiptar. “Qeniet njerëzore”, shkruan Hobbes, “në esencë janë egoiste, të cilat poqëse nuk pengohen nga ligji, kërkojnë t`i përparojnë interesat e tyre në kurriz të shoqërisë njerëzore”.
Politikanët shqiptarë që nga fillimi i pluralizmit në Maqedoni, përveç betejave politike në parlament, bënë beteja politike edhe në arenën ndërkombëtare në funksion të promovimit të platformave politike për barazi të plotë të shqiptarëve në këtë vend. “Involvimi i liderëve etnikë shqiptarë me aktorët ndërkombëtarë, nuk fillon me arritjen e Grupit punues në Maqedoni. Në janar të vitit 1992, liderët etnik politikë shqiptarë siç ishte Nevzat Halili nga PPD-ja iu afruan Konferencës së Hagës që ta tërhjekin vëmendjen për problemet e shqiptarëve në Maqedoni, dhe mundësisht, të fitojnë mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tyre”, shkrun Ackerman.
Kjo datë e shkruar nga Ackerman, ma rikujton vetëm një epizodë politike, ndër të shumtat kur bashkë me delegacionin kosovar të njerëzve me autoritet të lartë politik dhe të dijes si prof. FehmiAgani, prof. Gazmend Zajmi prof Zejnulla Gruda, Flaka Surroi dhe akademikë të njohur, në seanca të ndara Konferencës së Hagës ata kërkuan pavarësi kurse ne i parashtruam kërkesat tona politike për status special (asokohe në modë!), për barazi gjuhësore e institucionale, për përfaqësim proporcional në administratën shtetërore. Por, kështu dhe ngjajshëm vepruan edhe shumë të tjerë. PDP-ja (Partia Demokratike Popullore) minore, shkruan Ackerman, ka dërguar një Memorandum ku ka kërkuar federalizim të shtetit dhe shtet binacional. Më vonë zoti Aliti qeveritar, së bashku me zotin Xhaferi opozitar, i shkruan një letër të ngjajshme presidentit amerikan Klinton. Zoti Xhaferi një kohë të gjatë u angazhua për dialogun historik shqiptaro-maqedonas ku njëherë e përgjithmonë do të përcaktohej mënyra e jetesës së përbashkët të dy etnikumeve kryesore në bazë të barazisë së plotë nacionale.
Shqiptarët, citohet të ketë thënë Sami Ibrahimi, më kotë janë në qeveri kur përfaqësimi në nivelet më poshtë, është tejet i pakënaqshëm; është e kotë të jemi në parlament, poqëse majorizohemi nga shumica maqedonase.
Është e ditur se të gjitha këto kërkesa dolën drejtpërsëdrejti ose tërthorazi nga Deklarata për barazi të shqiptarëve në Maqedoni, dërguar Parlamentit të Maqedonisë në vitin 1991, hartuar nga Grupi parlamentar PPD-PDP (Partia per Prosperitet Demokratike – Partia Demokratike Popullore).
Tridhjetë e sa vite pas, sot është krejt ndryshe: disa parti shqiptare nuk i shkruajnë më letra Evropës e Amerikës se janë të pakënaqur nga pozita e tyre ekonomike, sociale, arsimore e politike, por shkruajnë për pakënaqësitë e tyre pse nuk janë në qeveri, dhe këtë motiv për hyrjen përpiqen ta paraqesin si patriotizëm.
Dhe, këto janë betejat e atëhershme kur për çështjet madhore kombëtare shqiptarët qeveritarë dhe shqiptarët opozitarë, ishin bashkë.
Edhe sot politikanët shqiptarë sërish shkruajnë letra, si dikur në vigjilje të çdo date apo ngjarjeje te rendesishme, por me tone tjera, me kërkesa tjera dhe nuk janë bashkë për çështje madhore! Shkruajtën dhe shkruajnë Aliu dhe Musa. I shkruajtën Amerikës dhe Evropës, Këshillit të Evropës, Kofi Ananit. I shkruajten keto dite Unionit Evropian dhe zotit Solana me tone te ashpra duke kushtezuar procesin e ecjes me tej drejt Evropes me hyrjen e tyre ne qeveri!
E alarmuan Solanen se si rezultat i mbetjes se tyre jashte qeverise, marredheniet ndernacionale na qenkan ashpërsuar aq tepër sa janë afër eksplodimit dhe se sa të shkel këmba e tyre në qeveri, çdo gjë do të jetë mjaft e sheqer! E kjo i ngjanë asaj tonës “oazë e paqës” dhe të atyre të tjerëve “relaksim i marrëdhënieve ndërnacionale”. I shkruajtëm edhe OSBE-së ku, në vitin 1993 në përbërje të delegacionit të Shqipërisë, kërkuam mospranimin e Maqedonisë si anëtare, pa plotësimin e kërkesave shqiptare.
Por, Nadiu, u desh ta shkruaj edhe një letër tjetër për arsyet e bojkotit të zgjedhjeve vendore, nga ana e koalicionit PPD-PDSH, kur Aliu, siç bërtiste Nadiu në “filipiket” e tia të nxehta, ia vodhi votat këtij koalicioni. Brendia e letrave të sodit nuk ështe më si dikur, brendi e ëndrrave tona popullore. Në ato letra nuk kërkohet barazia popullore por kërkohet qeveria ku aktorët politikë do ta varfërojnë deri në pamasë popullin duke e vjedhur pasurinë e tij, duke e zhvatur, pastaj në arsyetim të veprave të tyre të fëlliqura të kërkojnë të kërkojnë veting për politikanët dhe gjykatësit me asistimin e ndërkombëtarëve!
Kështu, ata në takimet me popullin, flasin për hajdutin e madh dhe hajdutin e vogël. Hajdutët e vegjël, siç janë ata nuk janë shumë të rrezikshëm sepse janë shqiptarë dhe për këtë, si shenjë barazie, duhet një veting për hajdutët e mëdhenj prej fitimit të pavarësisë e deri ditët e sodit!
Në shekullin 21 nuk ka apotheoza demokracie, por apotheoza qeverie, do të shkruante Migjeni po të ishte gjallë.
Dhe, më duket se problemi kryesor i politikanëve shqiptarë mbetet te apotheoza e demokracisë. Pyetja kryesore do të ishte si e kuptojnë ata demokracinë? A thua e kuptojnë si një “hurra” të përsëritur gjithnjë nga politikanët, por të xhveshur pak nga substanca, siç shkruan Andrew Heywood në librin “Teoria politike”; a thua e kuptojnë si në kuptimin e fjalës greke “kratos” si “fuqi” ose “sundim” ose si ” sundim i popullit nga ana e popullit dhe për popullin”, siç është shprehur Abraham Linkoln.
“Sundimi i popullit”, shkruan Heywood, “bazohet në idenë se populli merr pjesë në qeverisje, do të thotë vetëqeverisë. E dyta, “qeverisje për popullin” lidhet me nocionin e interesit publik dhe nga ideja se populli përfiton nga qeverisja, pa marrur parasyshë a qeverisë apo jo ai” .
Cilës qeverisje i takoi qeverisja e BDI-së, njëzet e katër vitet e fundit? A përfitoi populli dhe sa përfitoi nga ajo qeverisje si interes publik apo interesi personal mbisundoi ndaj atij publik. Çka ndodhi që shoku im Rafizi bashkë me deputet Daja, votoi kundër amandamentit të bashkëpartiakut të tyre për kompenzimin e shpenzimeve të rrugës në nivel të biletave të autobusit për ata që punojnë larg vendbanimit të tyre. Pse interesi personal mbisundoi ndaj atij publik, i grupit më të madh të njerëzve, sipas Heywood.
Si ndodhi që populli gjatë konfliktit të vitit 2001 i ushqeu me mish viçi gjatë luftës e pastaj në zgjedhje i votoi këta dy deputetë, e ata për “inat” të Lubes (bashkë me të cilin i pamë në tubim parazgjedhor në Tetovë për ta zgjedhur Teutën) nuk i votuan interesat e bijve të popullit?
“Elementi “demokratik” ne demokracine liberale, eshte ideja e vullnetit te popullit e shprehur ne praktike me aktin e votimit. Demokracia liberale eshte forme e demokracise elektorale, e cila ne zgjedhjet popullore shihet si i vetmi burim i autoritetit politik. Kjo zgjedhje duhet te respektoje principin e barazise politike; ajo duhet te bazohet ne zgjedhjet e pergjitheshme dhe ne baze te parimit “nje person, nje vote”. Per keto arsye çdo sistem i cili i kufizon te drejtat zgjedhore ne baze te gjinise, races, religjionit, gjendjes ekonomike dhe keshtu me rradhe, bie nga provimi i demokracise.
Ne fund qe te jene krejt demoratike zgjedhjet duhet te jene te rregullta, te hapta dhe mbi te gjitha kompetitive”, shkruan Heywood.
Në vitin 1999, pas falsifikimeve në zgjedhjet presidenciale, i shkrova kryetarit të ODHIR-it se problemi shqiptar në Maqedoni qëndron në mënyrën e kuptimit dhe zbatimit të demokracisë, në mungesën e demokracisë brendashqiptare, ku partitë politike shqiptare i privojnë disa kategori qytetarësh, siç janë mërgimtarët, femrat, të varfërit nga e drejta e votës: mërgimtarët pse nuk janë në vendlindje, varfanjakët me disa kilogram miell dhe pak para për ta siguruar ekzistencën disa ditore, femrat të privuara nga mungesa e respektit ndaj aftësisë së tyre.
Kështu prej vitit 1995 filluan të lindin një numër i deputetëve të miellit,sheqerit,nominimit të kandidatëve nga ana ekryetarit të partisë dhe parasë e jo konkurencës politike. Duket shumë tmeruese kur politikani shqiptar deklaron se në disa vise shqiptarët votojnë në bazë të traditave fisnore: “haxhi baba” i shti votat e farefisnisë në çevre dhe i shpraz në kut. Tepër tmeruese është kur sheh të fotografuar “intelektualin “e shkencave politike” duke i mbushur kutitë me votat e vjedhura!
Rrënja e problemit që disa “intelektualë” shqiptarë e kanë cekur, nuk qëndron tepër në faktin se cilën parti mandatari maqedonas e thërret në qeveri se sa në faktin se si zhvillohet demokracia brendashqiptare. Nevoja e ekzistimit të partive politike shqiptare njësoj humbet nga kuptimi si me rastin e zgjedhjes nga mandatari, poashtu poqëse partitë politike shqiptare në vend të garave kompetitive në platforma politike, inkurajojnë dhe nxisin grupe të ndryshme vagabondësh për mbushjen e kutive të votimit, të tjerët i punësojnë dhe ata “shkojnë në punë” vetëm ditët e votimeve, për frikësimin e qytetarëve të votojnë për opsionin e tyre, për presionet e ndryshme të cilat në vazhdimësi shkruhen në raportet e vëzhguesve të zgjedhjeve viteve të fundit.
Do të isha tepër i lumtur poqëse ambasadorja amerikane nuk e ka “informuar sa duhet” qeverinë e saj për ndodhitë elektorale tek ne, siç shkruajtën disa. Do të ishte lumturi e madhe për ne ajo të mos kishte shkruar se në disa vendvotime së bashku me përfaqësuesin evropian tërë ditën i kanë ruajtur kutitë e votimit në zonat thjeshtë shqiptare që “aktivistët e demokracisë”, kutitë mos i mbushin me fletëvotime pa dhënë ” ezani i sabahit” dhe procesi zgjedhor të mbarojë ende pa filluar. Por ky do të ishte vetë mashtrimi ynë, sepse problemet ekzistuese në kohë të caktuar vetëm i maskojmë dhe nuk tentojme t’i zgjidhim me nje konsensus brendashqiptar.
Një problem tjetër yni, është ai i përfaqësimit. “Të jeshë përfaqësues”, shkruan Heywood, “do të thotë të nxirresh nga grupi i posaçëm dhe t’i keshë të njejtat karakteristika”. “Qeveria representative mund te jete nje mikrokosme e shoqerise me te gjere, e cila permban anetarë te nxjerrur nga te gjitha grupet dhe segmentet e shoqerise, ne kuptimin e klasave sociale, gjinise, religjionit, etnikumit, moshes dhe keshtu me rradhe dhe ne numer proporcional te pranise se tyre ne shoqeri dhe me gjere”. Poqese këtë konstatim e marrim si kriter, atëherë nuk ka asnjë dilemë se në një shtet të definuar si unitar, përfaqësimit të shqiptarëve në qeveri nga ana e PDSH-së nuk mund t’i gjendet mangësi tjetër pos anës proporcionale të pranisë në qeveri (26%) poqese ajo nuk përmbushet deri në konstituimin e plotë të qeverisë. Ato grupe që përkatësinë kombëtare e ngrejnë në nivel të profesionit, siç me të drejtë konstaton një miku im, e bëjnë me qëllim që interesin individual ta vënë mbi atë publik.
Poqese kriter të shumicës e marrim teorinë e politikanit frëng A.dë Tokvil (1805) të 51%, atëherë asnjë parti politike shqiptare nuk ka të drejtë të pretendojë se është përfaqsuese e popullit dhe popullin ta konsiderojë si “pronë të tij”, siç tenton ta bëjë një parti politike, sepse, pjesa më e madhe e popullatës shqiptare (53%), i ka kundërshtuar platformat politike shqiptare në krahasim me ata që i kanë përkrahur. Votimi i shqiptarëve i ngjanë një bojkoti të heshtur.
“Vendet me sisteme pluralistike elektorale”, shkruan Heywood, kane shpesh probleme se qeverine e formojne ne baze te pluralitetit te votuesve se sa ne pluralitetin e pergjithshem te zgjedhesve. Per shembull, Bil Klintoni u zgjodh president i SHBA-ve ne baze te 43% te votes se popullit, dhe ne vitin 2001 qeveria e Blerit ne Mbreterine e Bashkuar mori shumice ne Dhomen e poshtme, me 167 vende me gjithsejt 41 perqind te votave… Kur me teper vota e kundershtojne qeverine e zgjedhur ose administraten se sa e perkrahin ate, sinqerisht me duket absurde te thuhet se ajo qeveri e ka mandatin e popullit”, përfundon ai.
Andaj nuk ishte fare e rastit që Unionin Evropian (UE), kërkoi nga Mali i Zi shumicë prej 55% të zgjedhësve, nuk ishte e rastit që ligji për zgjedhjen e presidentit të shtetit kërkonte 51 % të zgjedhësve, nuk është e rastit pse referendumi maqedonas kundër ndarjes territoriale dështoi nga mungesa e shumicës së zgjedhësve (atyre që janë në lista zgjedhore).
Dhe, në fund, esenca e demokracisë, sipas Hobbes, është respektimi i ligjeve që njerëzit vetë i sjellin, sepse pa respektimin e ligjit, i hapet rruga anarkisë dhe ngulfatet demokracia. Ligji për protesta larg vendeve me rëndësi publike dhe mosblokimin e rrrugëve magjistrale, nuk mund njëherë të jetë i mirë (pse e kemi sjellur kundër opozitës) dhe herën tjetër i keq (pse nuk jemi në qeveri!). Të gjithë ata që pretendojnë t’i realizojnë të drejtat e tyre duhet të jenë të vetëdijshëm se të drejtat nuk janë të pakufishme, se e drejta e njërit kufizohet me të drejtën e tjetrit. E drejta e dikujt për të qenë pjesë e qeverisë përkufizohet me të drejtën e tjetrit të shkojë në kohë në punë, në kohë në spital, në aeroport, në ndeshje futbolli, në teatër, në provim, ligjërata etj… Çdokush që i pengon të drejtat e dikujt tjetër, nuk mund ta llogarisë veten në rradhët e demokratëve, sepse shprehja e revoltës demokratike në esencë përmban edhe fitimin e simpatisë së atyre që janë neutrale në favor të kauzës për të cilën edhe protestojnë.
Në fund, këto, sipas shkrimeve të Fan Nolit, shihet se mentaliteti i veprimit të sotëm politik të shqiptarëve, kudo që janë, nuk dallon fare nga mentalioteti i viteve të 20-ta të shekullit të kaluar.
Në një shkrim të tij, Fan Noli shkruan për pesë anarkitë politike që i ka identifikuar ai.
Për ta ilustruar Anarkinë e pestë, ate të idealeve, Fan Noli e citon një shkrim të Herodotit, ku ai të ketë shkruar se “… në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.
Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin.
P.S: Teksti është shkruar në vitin 2006, me rastin e kundërshtimit nga BDI, që PDSH-ja të hyjë në Qeveri, si dhe plotësuar këto ditë, me problematizimin e Vlen-it, si pjesë e qeverisë!