Aktori i njohur shqiptar Robert Ndrenika feston ditëlindjen, ja sa vjeç mbush ai

Aktori i mirënjohur shqiptar, Robert Ndrenika feston sot ditëlindjen e 79-të, shkruan lajmi.net.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në vitin 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Aktori ka interpretuar:

“Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Në vitin 1979, Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”./