Aktivistë të BDI-së kanë paguar disa “Komita” që t’ua thyejnë sonte bilbordin e vendosur te qeveria?!

Burime partiake në BDI, që dëshirojnë të mbeten anonime, thonë se “njerëz të kësaj partie” nga dega e Çairit kanë kontaktuar me disa pjesëtarë të grupit të huliganëve “Komiti” që ta demolojnë sonte bilbordin e vendosur për “kryeministër shqiptar” afër qeverisë së Maqedonisë.
“Në kryesinë e partisë ka pakënaqësi të madhe. Kanë pritur që shqiptarët t’i besojnë më shumë propozimit të BDI-së për kryeministër shqiptar, por ja që nuk po i besojnë, sepse e kanë kuptuar që është ide vetëm për të fituar vota, e jo ide serioze. Mendoj se për të rritur namin e kësaj ideje që nuk po e përbin elektorati, njerëz të afërt me degën e BDI-së në Çair kanë paguar disa huliganë të Komitëve të Vardarit që ta demolojnë sonte bilbordin”, kanë deklaruar burime partiake në BDI, që thonë se janë të pakënaqur nga politikat e udhëheqësisë partiake e cila po punon në favor të kthimit pas zgjedhjeve të koalicionit me VMRO-DPMNE-në.
Siç shkruajnë mediumet, qëllimi është që të krijohet tension dhe përshtypje në opinionin shqiptar se nacionalistët maqedonas vërtetë janë të frikësuar nga “propozimi për kryeministër shqiptar” dhe në këtë mënyrë të rritet rejtingu i BDI-së.
“Bëhet fjalë për skenar. Plani është që pasi të demolohet bilbordi, BDI të organizojë protesta para qeverisë dhe të shkaktohen përplasje të koordinuara me huliganët maqedonas përafërsisht si ngjarjet në Kala. Sa kemi ne informata, BDI shpreson se në këtë mënyrë do të mobilizojë shqiptarët në anën e vet. Ju lutemi publikone sa më shpejtë këtë informacion, që ta kuptojë lojën edhe faktori ndërkombëtar dhe të dështojë ky skenar sa më shpejtë”, thonë të njëjtat burime.
Sipas tyre, takimi ku u janë dhënë paratë grupit të Komitëve që duhet ta shkaktojë incidentin me bilbordin është realizuar “në një restorant maqedonas në parkun e qytetit”. Këto burime premtojnë se pas zgjedhjeve do të publikojnë ndoshta edhe fotografi nga takimi ku është bë “kontrata dhe pagesa mes aktivistëve të afërt me BDI-në dhe Komitave që janë të afërt me VMRO-në” për demolim të bilbordit.
Në MPB kanë thënë se nuk kanë informacione për “skenarin konkret”, por konfirmojnë se prej më herët ekzistojnë informacione për tendenca që të krijohen tensione ndëretnike në Maqedoni, veçanërisht në Shkup e Kumanovë.
Edhe presidenti Stevo Pendarovski sot paralajmëroi se kriza politiko-juridike në Maqedoni mund të thellohet edhe në krizë stabiliteti.
Kurse analisti Sasho Ordanovski më herët haptazi ka shkruar lidhur me skenarë të mundshme për tensione ndëretnike të koordinuara mes VMRO-së dhe BDI-së. Edhe në Maqedoni edhe në rajon ka shumë shembuj ku subjektet politike keqëpërdorin nacionalizmin, për të ushqyer rejtingun e tyre.
As nga VMRO-DPMNE, as nga BDI nuk ka ende ndonjë reagim lidhur me këtë informacion.