Aktakuzë ndaj 3 personave, vodhën kabllo në një fabrikë në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë kundër tre personave, të dyshuar si bashkëkryes për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, sipas Kodit Penal.

Sipas njoftimit, në fillim të muajit mars, të pandehurit kanë kryer vjedhje në ambientet e fabrikës Zhelezara, ku kanë marrë lloje të ndryshme kabllosh me vlerë totale prej 196.500 denarësh, në pronësi të një kompanie nga Kavadari.

Gjatë kryerjes së veprës, ata kanë dëmtuar edhe një kabllo që ishte pjesë e një instalimi publik elektrik, duke shkaktuar dëm shtesë në vlerë prej rreth 800.000 denarësh.

Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit janë kapur në flagrancë, në momentin kur po përpiqeshin të largonin kabllot nga fabrika me një automjet.

Me aktakuzën, prokurori publik ka kërkuar nga gjykata zgjatjen e masës së paraburgimit për njërin nga të pandehurit, ndërsa për dy të tjerët mbeten në fuqi masat paraprake të sigurisë.