Aktakuzë kundër një gjykatësi në Gjykatën Administrative

Pas hetimit gjithëpërfshirës, prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekje penale të krimit të organizuar dhe korrupsioni deri te Gjykata Penale e Shkupit ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi. I akuzuar dyshohet se si person zyrtar, gjykatës në Gjykatën Administrative të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke ndërmarrë aktivitete që nuk ka guxuar t’i ndërmarrë, ka kryer vepër penale “shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve”.

“I akuzuari deri në zgjedhjen e tij si gjykatës në fund të vitit 2007, duke punuar si avokat, ka ndërmarrë aktivitete dhe ka përfaqësuar interesat juridike të dy personave fizikë, të afërm të tij, në procedurën për tokë ndërtimore në Strugë prej 1.958.49 metra katrorë. Megjithëse ndaj paraardhësit të tij ligjor, pas zbatimit të procedurës së shpronësimit të tokës, me marrëveshje i është caktuar dhe paguar kompensim për tokën që ka qenë lëndë e procedurës së trashëgimisë, ai ka ngritur procedurë para Komisionit për zgjidhje sipas kërkesës për denacionalizim”, ka njoftuar Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut.

Gjykata Administrative me këtë rast ka formuar lëndë për punën e të akuzuarit.

Tutje, në periudhën kohore prej 10.09.2018 deri më 24.01.2019, i akuzuari, si person zyrtar apo gjykatës, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore ka marrë lëndën edhe pse ka pasur njohuri si përfaqësues i mëparshëm- avokat i paditësve, është detyruar të përjashtohet nga veprimtaria lidhur me ankesën, por ai nuk e ka stopuar punën mbi lëndën dhe nuk e ka njoftuar kryetarin e Gjykatës administrative për rrethanat.

“Duke ndërmarrë aktivitete në lëndën ka pamundësuar që Zyra e avokatisë së shtetit të RMV-së si palë e interesuar të përfshihet në kontestin administrativ dhe të ndërmerr masa për mbrojtje juridike të të drejtave pronësore dhe interesave të RMV-së”, theksohet në komunikatë.

Prona kontestuese nga momenti i fillimit të procedurës hetimore është siguruar me Vendim të Gjykatës Themelore në Strugë ku është shqiptuar masë e përkohshme – ndalesë për tjetërsim.