Aktakuza për Banjskën: Si e ndihmuan Steviq dhe kompania e tij Radoiçiqin?

Në aktakuzën për rastin Banjska, Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon biznesmenin nga veriu, Radulle Steviq, për shpëlarje parash.

Aty thuhet se në periudhën nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator të vitit 2023, përmes kompanisë së tij RAD D.O.O., ai e ndihmoi Millan Radoiçiqin për të fshehur origjinën e parave.

Sipas aktakuzës, të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës e ngriti kundër 45 personave më 11 shtator dhe në të cilën Radio Evropa e Lirë kishte qasje, Steviq – me vetëdije dhe përmes subjekteve të tij afariste dhe aktiviteteve ekonomike – e ndihmoi Radoiçiqin të pastronte para, duke transferuar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme te palët e treta, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Më herët, Steviq dhe kompanitë e tij kanë marrë tenderë për projekte të ndryshme nga Kosova, e viteve të fundit vetëm nga Serbia.

Tenderin e fundit prej miliona eurosh e mori nga Serbia një ditë pas ngritjes së aktakuzës në Kosovë.

Në aktakuzë thuhet se Steviq ka qenë në dijeni se të ardhurat e Radoiçiqit rrjedhin nga aktivitete kriminale dhe, rrjedhimisht, ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer veprën penale “pastrim i parave”, e cila dënohet me Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.

Dënimi për këtë vepër penale është deri në dhjetë vjet burg.

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të binte në kontakt me Steviqin.

Sipas aktakuzës, gjyqtari i procedurës paraprake dha urdhër për arrestimin e Steviqit dhe më 20 gusht, 2024, lëshoi fletarrestimin.

Bazuar në informacionet që ka REL-i, Steviq ka kohë që nuk gjendet në Kosovë.

Kush është Radulle Steviq dhe çka dihet për kompanitë e tij?

Biznesmeni nga Zveçani, Radulle Steviq, ka dy kompani të regjistruara në Kosovë – RAD D.O.O. dhe RAD P.T.P. – ndërsa në Serbi nën emrin e tij është RAD 028.

Që nga dhjetori i vitit 2021, Steviq – ashtu si edhe Radoiçiq – është i sanksionuar nga SHBA-ja për përfshirje në krim ndërkombëtar dhe korrupsion. Kompanitë e tij në Kosovë dhe në Serbi janë, gjithashtu, nën sanksione.

Kompaninë RAD P.T.P. në Kosovë, Steviq e regjistroi në prill të vitit 2013, ndërsa në shkurt të vitit 2018 e regjistroi një tjetër me emrin RAD D.O.O.

Siç mund të shihet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, aktivitete kryesore të kompanive të Steviqit janë ndërtimi i objekteve banesore dhe punimet e tjera ndërtimore.

Në bazë të të dhënave të publikuara në portalin kosovar “Prokurimi i Hapur”, ku mund të gjenden informacione për kontratat publike në Kosovë që nga viti 2018, kompanitë e Steviqit kanë marrë rreth 5 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

Shërbimet e kompanisë së tij i kanë shfrytëzuar kryesisht komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që punojnë sipas sistemit të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Steviq dhe kompania e tij RAD 028, e cila është regjistruar në Serbi në janar të vitit 2014, kanë marrë miliona euro për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore nga buxheti i Serbisë.

Steviq i fitoi edhe tenderët që nxorën kryesisht autoritetet e përkohshme komunale që funksionojnë në Kosovë nën sistemin serb.

Disa prej këtyre organeve u mbyllën këtë vit nga autoritetet e Kosovës, me shpjegimin se ato funksiononin në kundërshtim me kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

Tenderët nga buxheti i Kosovës

Kompanitë e Steviqit fituan tenderë në Kosovë deri në dhjetor të vitit 2021, kur ai u sanksionua nga SHBA-ja.

Kështu, në gusht të vitit 2018, Komuna e Leposaviqit nënshkroi kontratë me kompaninë e Steviqit RAD P.T.P. për “rindërtimin dhe zgjerimin e ndërtesës së Administratës Komunale në Leposaviq”, në vlerë prej rreth 345.000 eurosh.

Po atë vit, kompania e njëjtë fitoi tenderin nga Komuna e Mitrovicës së Veriut për “rikonstruktimin e trotuarit dhe rrugës Ivo Llolla Ribar në veri të Mitrovicës”, në vlerë prej gati 330.000 eurosh, ndërsa rreth 325.000 euro iu ndanë për “ndërtimin e Sallës së Sporteve në Mitrovicën e Veriut – Faza II”.

Përveç tjerash, kompania RAD P.T.P. mori tenderë edhe për ndërtimin e banesave për personat e cenueshëm, për prokurimin e teknologjisë, materialeve të ndërtimit apo mobilieve.

Ndërprerja e punimeve për ndërtimin e objektit në Bërjan u bë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, e cila funksionon brenda sistemit të Kosovës, me arsyetimin se ato nuk kanë leje ndërtimi.

Lexoni edhe këtë:

Tri objekte që Serbia po ndërton në veri të Kosovës, “pa leje”

Kompania tjetër e Steviqit RAD D.O.O. mori, po ashtu, tenderë të vlefshëm, të hapur nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një nga kontratat më të vlefshme ishte ajo për rindërtimin e infrastrukturës së rrugës Kral Petri në Mitrovicën e Veriut, e cila u lidh në korrik të vitit 2020.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ndau afro 700.000 euro për këto punime.

Tenderin e fundit nga institucionet që punojnë në sistemin e Kosovës, Steviq e fitoi në shtator të vitit 2021 për disa punë shtesë në rindërtimin e rrjetit të kanalizimit në Zveçan.

Tenderët nga buxheti i Serbisë

Edhe pse pas dhjetorit të vitit 2021, kur u fut në listën e zezë amerikane, nuk mori asnjë cent nga institucionet e Kosovës, Radulle Steviq vazhdoi “të ndërtonte” nëpër Kosovë me para nga buxheti i Republikës së Serbisë dhe me kompaninë RAD 028.

Konvikti i studentëve. Paratë për ndërtimin janë siguruar nga buxheti i Serbisë dhe puna i është dhënë kompanisë së Radulle Steviqit (Korrik 2022).
Konvikti i studentëve. Paratë për ndërtimin janë siguruar nga buxheti i Serbisë dhe puna i është dhënë kompanisë së Radulle Steviqit (Korrik 2022).

Sipas Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve në Serbi, Steviq siguroi të hyra prej më shumë se 8 milionë eurosh më 2022 dhe 2023, ndërsa të dhënat për këtë vit nuk janë ende të disponueshme.

Sipas portalit të prokurimit publik në Serbi, kompania RAD 028 e nënshkroi kontratën e fundit më 12 shtator me autoritetin e përkohshëm komunal në Mitrovicë të Veriut për prokurimin e materialeve ndërtimore për ndërtimin, rindërtimin, rehabilitimin dhe përshtatjen e objekteve të banimit familjar për njëzet komuna në territorin e Kosovës.

Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe, por serbë jetojnë edhe në mjedise që u përkasin komunave me shumicë shqiptare.

Ky tender kap vlerën e rreth 407 milionë dinarëve ose rreth 3.5 milionë euro.

Përveç kompanisë RAD, fitoi edhe kompania Beta Gradnja D.O.O. Mitrovicë e Kosovës, e cila përmendet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për rastin Banjska.

Screenshot i tenderit të fundit.
Screenshot i tenderit të fundit.

RAD 028 fitoi tenderë me vlerë gjatë gjithë këtij viti, e disa prej tyre kanë të bëjnë me ndërtimin e objekteve banesore për nevojat e personave të cenueshëm socialë, e për të cilat janë ndarë rreth një milion euro nga buxheti i Serbisë, pastaj me dekorimin e një objekti të sapondërtuar kulturor dhe arsimor, ndërtimin e një depoje, renovimin e një fasade dhe ndërtimin e trotuareve në komunën e Lipjanit, në vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, e kështu me radhë.

Në fund të korrikut të vitit 2023, Radio Evropa e Lirë raportoi se kompania RAD 028 po merrte punë të financuara nga buxheti i Serbisë në komunat në jug të Ibrit, edhe pse në disa prej tyre nuk jeton pothuajse asnjë pjesëtar i komunitetit serb.

Rrethrrotullimi në Mitrovicë të Veriut, korrik 2022. Paratë për ndërtimin e tij janë siguruar nga buxheti i Serbisë dhe puna i është dhënë kompanisë së Radulle Steviqit, e cila është nën sanksionet amerikane që nga viti 2021.

Lexoni edhe këtë:

Sanksionet amerikane s’e ndalin punën e kompanisë së Steviqit në Kosovë

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, RAD 028 mori mbi gjashtë milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.

Gjatë vitit 2022, brenda dy ditësh, RAD 028 mori dy tenderë të mëdhenj nga autoriteti i përkohshëm komunal në Mitrovicë të Veriut – të financuar nga buxheti i Serbisë dhe me vlerë rreth pesë milionë euro.

Njëri kishte të bënte me kryerjen e punëve në ndërtimin e universitetit që funksionon nën sistemin e Serbisë, ndërsa tjetri me rindërtimin apo ndërtimin e objekteve në kuadër të “Qendrës Shëndetësore të Mitrovicës së Kosovës”.

 

Kontratë miliona dollarëshe me kompaninë RAD 028 në lidhje me ndërtimin e universitetit, e disponueshme në portalin e prokurimeve publike në Serbi.
Kontratë miliona dollarëshe me kompaninë RAD 028 në lidhje me ndërtimin e universitetit, e disponueshme në portalin e prokurimeve publike në Serbi.

 

Kontratë prej një milion dollarësh me kompaninë RAD 028 lidhur me punimet në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut.
Kontratë prej një milion dollarësh me kompaninë RAD 028 lidhur me punimet në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut.

Përndryshe, këto punime në Kosovë, në bazë të një dekreti të Qeverisë së Serbisë, janë të liruara nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili është 20 për qind./REL