Fejzi HAJDARI
Sa herë që ndihen të rrezikuar pjesëtarët e Klubit të Milionerëve, që u pasuruan mbi gjakun dhe plagët e dëshmorëve e invalidëve, strehim mundohen të gjejnë nën emblemën me tri shkronja të arta të UÇK-së. Kështu është në Kosovë, kështu sa kam vërejtur, veprojnë edhe milionerët në Maqedoni, ku fotografitë me uniforma u kujtohen vetëm gjatë fushatës parazgjedhore.
Kështu ndodhi edhe pas daljes në shesh të aktakuzës kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Akuza menjëherë u interpretua si atak ndaj UÇK-së, gjë që në mënyrë shumë të qartë e demantoi ish-kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale që kishte kryer hetimet për pretendimet e raportit e Dick Martyt për dyshimet e pretenduara për krime të kryera nga UÇK-ja, Clint Williamson.
Në një deklaratë për media, në ditën kur u publikua njoftimi se Zyra e Prokurorit Special ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Williamson ka kujtuar gjetjet e preliminare të tij gjatë hetimeve të nisura më 2011.
“Disa, në mënyrë që të mbrojnë vetveten, kanë tentuar ta portretizojnë këtë hetim si sulm mbi luftën e Kosovës për liri apo të UÇK-së si organizatë. Shumë kosovarë iu bashkuan UÇK-së me qëllimet më të mira dhe kanë refuzuar kriminalitetin që ngjau pas luftës. Disa nga ta kanë treguar guxim të madh dhe integritet duke ardhur si dëshmitarë e duke treguar atë që dinë për ata që kanë ndërruar drejtim – ata në pozita udhëheqëse që pranuan krimin dhe donin ta përdornin UÇK-në për qëllime të tyre personale. Andaj, duhet të dihet qartë se hetimi dhe çdo akuzë që rezulton nga ai, janë të drejtuara ndaj veprimeve kriminale të individëve brenda grupeve të veçanta, jo UÇK-së si e plotë. As nuk është përpjekje për të rishkruar historinë”, ka thënë Williamson.
Aktakuza e Gjykatës Speciale duhet të analizohet më thellësisht nga këndvështrime të ndryshme. Nuk duhet anashkaluar edhe këndvështrimin mos ndoshta kjo aktakuzë është iniciuar nga miqtë ndërkombëtarë të shqiptarëve për të ja ndalur turr e vrapin Hashim Thaçit për të ndarë Kosovën bashkë me Vuçiqin. Kurse gjithë ata që duan këtë aktakuzë ta interpretojnë si atak ndaj UÇK-së, duhet së paku me një rresht të përmendin se Hashim Thaçi e Kadri Veseli u pasuruan pas lufte pak më shumë se krejt UÇK-ja bashkë.