“Aksioni 21” i Qeverisë! Marihuana prioritet, arsimi e shëndetësia askund!

Në krye të prioriteteve qeveritare nga programi Aksioni 21, përsëri u gjend pastrimi i gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit. Vetëm për të rikujtuar, këto dy çështje ishin prioritet edhe në planin e mëparshëm reformues të qeverisë 3-6-9. Qeveria u lëvdua se pjesa më e madhe e masave është realizuar, por gjyqësori dhe korrupsioni përsëri u gjendën edhe në këtë plan. Tani nga LSDM pohojnë se këto çështje janë në fazën e fundit.

“Në fazën përfundimtare është modeli për pastrimin e gjyqësorit, i përgatitur fillimisht nga përfaqësuesit e Këshillit gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve publik, me mbështetjen e opinionit akademik. Të gjithë gjykatësit do të vlerësohen se kanë prezantuar prova dhe dëgjuar dëshmitarë, posaçërisht për atë se si kanë vepruar me lëndët që janë sjellë deri në vjetërsim”, deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.

LSDM dhe në mandatin e ri vazhdon me gënjeshtrat e vjetra, vetëm numrat e planeve janë të ri, ndërsa pjesa tjetër është gënjeshtër, komentojnë nga opozitarja VMRO-DPMNE.

“LSDM edhe në mandatin e ri vazhdon me gënjeshtrat e vjetra. Opinioni i vendit pothuajse katër vjet është dëshmitar i gënjeshtrave, manipulimeve dhe projekteve të parealizuara. Zoran Zaev dhe LSDM çdo ditë shërbejnë PR për – blej dit, shitë politikë – vetëm që të ruajnë paqen e cila u mundëson tregtim me interesat nacional, me të cilat hapin kanale private për të krijuar kapital pas shpinës së qytetarëve”, pohojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për Shqiptarët nuk pajtohen se Qeveria ka qasje serioze se pastrimi në gjyqësor dhe krimi dhe korrupsioni janë në fazën e fundit të realizimit. Shtojnë se pikërisht reformat për gjyqësorin, krimin dhe korrupsionin theksohen si të paplotësuara nga KE.

“Kur jemi te prioritetet, rastësisht apo jo, numër 1 në listë është Pastrimi i Gjyqësorit.Kryeministri thotë se “jemi në finale të reformave të thella dhe thelbësore në gjyqësor përmes pastrimit objektiv dhe efikas të gjyqësorit dhe prokurorisë. Por, ai harron se pikërisht raporti i Komisionit Evropian, në pjesën e gjyqësorit, thotë se Sistemi Gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka një nivel mesatar të përgatitjes”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Përveç gjyqësorit dhe korrupsionit, në 10 prioritetet për vitin e ardhshëm, Qeveria ka vendosur mbrojtjen e natyrës, maskat dhe vaksinat për Kovid-19, ndërsa menjëherë pas tyre vijon kanabisi i cili është i paraqitur si potencial i madh ekonomik. Më pas në planin qeveritar parashihet energjetikë e re e Maqedonisë, ndërtimi i gazsjellësit, regjistrimi i popullatës, lufta kundër desinformatave dhe potencialet e reja ekonomike. Mes prioriteteve nuk përmenden as procesi arsimor, e as sektori shëndetësor./tv21