Aksion i madh policor për marijuanë në hapësirat e ish-fabrikës Ohis

Aksion i madh policor në rrethin e ish-fabrikës “Ohis”. Një kolonë me furgonë, kamionë dhe njësi të shumta policore, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, hynë në objekt për kontrolle të lidhura me rastin e pesë tonëve marijuanë të sekuestruar në Serbi, për të cilat autoritetet atje thanë se kishin hyrë përmes Maqedonisë së Veriut.

Aksioni në Shkup dhe në Strumicë po zhvillohet me urdhër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të identifikuar bazat e magazinimit dhe shpërndarjes së drogës.

Nën hetim është kompania e përmendur nga autoritetet serbe, e regjistruar në vitin 2023, me veprimtari për kultivimin dhe përpunimin e marijuanës për përdorim farmaceutik, ku një nga pronarët ishte i dyshuar në procedurën që po zhvillon prokuroria në Serbi.

Kryeministri Mickoski, në një intervistë për TVM, tha se pret që gjatë aksionit të sekuestrohen dhjetëra tonë drogë.

Aksioni lidhet me kontrabandë ndërkombëtare droge. Nga MPB konfirmuan se, në koordinim me Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, po ndërmerren masa dhe aktivitete në lokacione në Shkup dhe Strumicë lidhur me substanca narkotike.