Aksion i madh policor në gjithë Maqedoninë: 16 të arrestuar, konfiskohen drogë dhe armë

Policia ka zhvilluar një aksion të gjerë në mbarë Maqedoninë e Veriut, gjatë të cilit janë kryer 47 bastisje, janë arrestuar 16 persona dhe janë konfiskuar drogë, armë dhe municion. 
Aksioni u zhvillua më 16 dhe 17 tetor, nën koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminalistike, sektorëve të punëve të brendshme dhe njësisë për qen shërbimi. Synimi ishte luftimi i tregtisë së paligjshme me drogë dhe posedimit ilegal të armëve.
Gjatë bastisjeve nëpër banesa dhe ambiente ndihmëse, policia sekuestroi sasi të konsiderueshme marihuane, kokainë të paketuar, pistoleta, pushkë, municion, para dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me vepra penale.
Në kuadër të aksionit janë ngritur 11 kallëzime penale për trafikim të paligjshëm të narkotikëve dhe për prodhim, posedim apo tregti të palejuar me armë.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se do të vazhdojë aktivitetet për zbulimin dhe ndëshkimin e veprimtarive kriminale.