Aksidentoi për vdekje këmbësorin dhe e hodhi në kanal, kapet pas 10 ditësh shoferi në Elbasan

Një shofer 48-vjeçar është vënë në pranga pasi dyshohet se ka goditur me automjetin e tij tip “Audi” një 83-vjeçar. Si pasojë e përplasjes, i moshuari ka ndërruar jetë.

Policia ka njoftuar se në vend që të njoftonte autoritetet, shoferi ka fshehur trupin e pajetë të 83-vjeçarit duke e hedhur në një kanal me qëllim fshehjen e ngjarjes.

Pas 10 ditësh hetime, uniformat blu kanë mundur që të gjejnë mjetin me të cilin ky person ka aksidentuar të moshuarin.

“Pas ngjarjes së ndodhur më datë 11 janar në segmentin rrugor fshati Thane – Elbasan ku një 83-vjeçar u gjet i pajetë në kanal, Strukturat e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore për zbardhjen e ngjarjes. Si rezultat i punës profesionale dhe hetimore të pandërprerë dhe kontrollit të zonës në perimetër të gjerë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe shoqërimi i drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin me pasojë vdekje. Gjithashtu u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mjetit tip Audi që ky shtetas dispononte me të cilin shkaktoi aksidentin me pasojë jetën 83-vjeçarit”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore./tvklan/