Këngëtari i operës Riste Velkov dhe djali i tij Adam janë në mesin e viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi mbrëmë në unazën e Shkupit.
Sipas informacioneve jozyrtare, Riste Velkov ka qenë duke drejtuar veturën në momentin e aksidentit, ndërsa djali i tij Adam ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI). Me ta në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është 20-vjeçari P.M., ndërsa identiteti i personit tjetër ende po përcaktohet.
Tragjedia ndodhi mes mbikalimit Vizbeg dhe nyjës Mirkovc, kur një kamion me targa të Kosovës ka depërtuar përmes gardhit mbrojtës, ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur drejtpërdrejt me veturën “BMW”.
Pas përplasjes ka shpërthyer një zjarr i fuqishëm dhe automjeti është djegur plotësisht. Në aksident humbën jetën katër persona.
Sipas informacioneve zyrtare të MPB-së, jetën e humbën shoferi R.V. (51), dy bashkëudhëtarë 20-vjeçarë dhe një person tjetër identiteti i të cilit fillimisht nuk ishte konfirmuar. Më vonë u bë e ditur se në mesin e viktimave janë edhe artisti operistik Riste Velkov dhe djali i tij Adam.
Shoferi i kamionit, 76-vjeçar nga Kosova, është arrestuar, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë./Zyrtare.net



