Aksident në rrugën Strugë-Dibër, 7 të lënduar

Pasditen e sotme në dalje të Dibrës në rrugën Dibër – Strugë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku, ku kanë mbetur të lënduar shtatë persona, dy prej tyre në gjendje të rëndë.

Në aksident janë përfshirë dy vetura të pasagjerëve, njëra nga Dibra dhe tjetra nga fshati Novak, komuna e Qendër Zhupës.

“Pas njoftimit nga një qytetar menjëherë kemi dërguar një autoambulancë në vendngjarje. Shtatë persona kanë mbetur të lënduar, dy prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa pesë janë lënduar lehtë. Të gjithëve i’u sigurua kujdesi adekuat shëndetësor. Njëri nga të lënduarit, banues në Dibër, i cili mbeti i plagosur rëndë është transportuar në Spitalin e Specializuar për Ortopedi dhe Traumatologji “Shën Erazmi” në Ohër, ndërsa një grua nga Novaku është nën kujdesin tonë në repartin e kirurgjisë, por nëse është e nevojshme do ta transportojmë në një institucion tjetër përkatës”, tha për MIA-n Baki Alili, drejtor i spitalit të përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar në Dibër.

Pesë personat e tjerë janë trajtuar siç duhet dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.(INA)