AKI mbyll fushatën në Gostivar me aktivitet rinor – Limani: Të dielën kemi ditë feste

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në prag të përmbylljes së fushatës zgjedhore zhvilloi një aktiviteti sportiv, të organizuar në bashkëpunim me forumet rinore të partive partnere të koalicionit. Ngjarja simbolike u zhvillua në prani të të rinjve dhe mbështetësve të subjektit politik, si dhe me pjesëmarrjen e kryetarit aktual të Komunës së Gostivarit dhe kandidatit për rizgjedhje, Valbon Limani, theksohet në komunikatën e AKI-së, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Në fjalën e tij, Limani vlerësoi angazhimin dhe frymën pozitive që ka karakterizuar të gjithë fushatën, duke falënderuar veçanërisht rininë për rolin e tyre aktiv. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës në mënyrë të qetë dhe demokratike.

“Fushatën e nisëm me energji dhe përkushtim, dhe jemi të lumtur që po e përmbyllim në të njëjtën frymë. Të dielën, le të votojmë me qetësi dhe dinjitet. Le të jetë ajo një ditë feste për gjithë qytetarët e Gostivarit,” deklaroi Limani.

Nga ana tjetër, bartësi i listës së AKI për Këshillin Komunal, Valdet Xhaferi, u bëri thirrje qytetarëve të përkrahin numrin katër në fletëvotim – si për kandidatin për kryetar komune, ashtu edhe për listën e këshilltarëve.

“Zgjidhja më e mirë për vazhdimin e zhvillimit në Gostivar është mbështetja për numrin katër. Kërkojmë votën tuaj për të çuar përpara projektet që kemi prezantuat para jush” u shpreh Xhaferi.

AKI mbyll sonte fushatën zgjedhore me një tubim me banorët e fshatrave Çegran dhe Forinë të ftuar në ora 20, i cili do të mbahet te shkolla fillore në Çegran.