AKI / Fetahu takon afaristët lokal: Bizneset private janë shpirti i Dibrës

Dibër, Kandidati për kryetar të Komunës së Dibrës nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Fetahu, ka zhvilluar një takim me afaristë dhe përfaqësues të bizneseve private të qytetit.

Në këtë takim, Fetahu u njoh nga afër me sfidat e përditshme që hasin bizneset në funksionimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e dialogut të hapur dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mes pushtetit lokal dhe sektorit privat.

“Bizneset private janë shpirti i Dibrës. Janë ato që gjenerojnë punësim, mbajnë gjallë ekonominë dhe krijojnë perspektivë për të rinjtë tanë. Është detyrë e pushtetit lokal që të jetë çdo ditë krah tyre, për të hapur rrugë të reja në zhvillim,” deklaroi Fetahu.

Gjatë diskutimeve, afaristët ngritën problematika konkrete që lidhen me infrastrukturën, taksat komunale dhe mungesën e mbështetjes institucionale, duke kërkuar angazhim më serioz nga qeverisja lokale. Fetahu theksoi se konsultimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar një program të bazuar mbi nevojat reale të qytetit.

“Biznesi është zemra e qytetit. Pa të nuk ka zhvillim, nuk ka punësim, nuk ka perspektivë. Unë garantoj se kur të jem në krye të Komunës së Dibrës, do të jem çdo ditë në krah të sektorit privat, duke ofruar mbështetje konkrete dhe duke hequr pengesat që sot i mbajnë të bllokuara mundësitë e tyre,” shtoi kandidati i AKI’së.

Takimi u përshkua nga një atmosferë bashkëpunuese, me premtimin se ky dialog do të vijojë edhe pas zgjedhjeve, si një mekanizëm i qëndrueshëm i lidhjes së komunës me ekonominë lokale.