Agjencia për Komunikime Elektronike ka vendosur që kompania “One Macedonia Telecommunications”, në pronësi të grupit hungarez 4iG, është ofertuesi më i favorshëm në tenderin për përzgjedhjen e operatorit të tretë mobil në vend.
Me këtë vendim nis afati prej 10 ditësh për pagesën e kompensimit njëherësh prej mbi 8 milionë eurosh për tre brezat e frekuencave.
Pas pagesës, kompania mund të pajiset me leje dhe të nisë menjëherë aktivitetin, fillimisht përmes rrjeteve ekzistuese deri në ndërtimin e infrastrukturës së vet. Sipas kushteve, operatori i ri duhet të fillojë shërbimet deri në fund të vitit 2026 dhe gradualisht të sigurojë mbulim 5G në të gjitha qytetet deri në vitin 2030.
Nga AKE vlerësojnë se hyrja e operatorit të tretë do të rrisë konkurrencën dhe do të ndikojë në uljen e çmimeve të shërbimeve mobile.




