Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë edhe këtë vit nuk zgjodhi asnjë akademik shqiptar

Shkruan Nazmi MALIQI

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE ARTEVE TË MAQEDONISË SË VERIUT (MANU) EDHE KËTË VIT (2022) ZGJODHI ANËTARËT E RI TË RREGULLT DHE NDERI, PA ASNJË SHQIPTAR

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut (shkurtesa maq.MANU) ka rol të veçantë në verifikimin, afirmimin dhe nxitjen e zhvillimit shkencor dhe shoqëror të shoqërisë. Prandaj, duke pasur parasysh rolin e madh shtetëror dhe shkencor që duhet të luajë MANU, kohët e fundit me të drejt hapen dilemat: se kush janë anëtarët e MANU, si zgjidhen anëtarët e rinj të rregullt, me çfarë projektesh konkurrojnë dhe pranojnë, nëse ka reforma statutore në politikat e zgjedhjeve, a mund një kandidat i kuvendi zgjedhor të zgjidhet nëse nuk është në lidhje familjare me kupollën.

Nëse në këtë kontekst këtë institucion e analizojmë në fushën e multietnicitetit, atëherë arrihet në përfundimin se është shumë e vështirë, në mos e pamundur, kandidatët-shqiptarë, me veprat e tyre shkencore dhe artistike në gjuhën shqipe, të zgjedhen pjesë e kësaj akademie.

Sepse, realisht, shkencëtarët dhe artistët e dëshmuar shqiptarë duhet të jenë anëtarë të rregullt të Akademisë në përputhje me kontributet e tyre në fusha të ndryshme të shkencës dhe artit. MANU, me formën aktuale, nuk tërheq krijuesit shqiptarë dhe prandaj anëtarësia e saj nuk përbën ndonjë tërheqje apo satisfaksion për ta.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë zgjodhi sivjet anëtarët e rinj të rregullt dhe të nderit, pa asnjë shqiptar. Prandaj, do të thoja se ky institucion nuk duhet të gënjejë veten, nëse dyert për kandidatët tjerë vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Me kujtohet kur ne vitin 2003, Forumi i Unionit te Inteligjences Shqiptare, kur isha president, propozoi reformimin e Akademisë me qëllim që të bëhej një institucion i hapur, ku do te verifikoheshin dhe afirmoheshin vlerat më të larta kreative në Maqedoninë multietnike.

Në këtë drejtim, edhe intelektualët maqedonas kohët e fundit janë shqetësuar për procedurën e vjetëruar dhe demode zgjedhore që funksionon në MANU. Në fund të fundit, për shkak të disa procedurave të pakuptueshme zgjedhore, shkencëtarët dhe artistët maqedonas kërkojnë reformimin e procedurës zgjedhore në MANU. Ata gjithashtu bëjnë thirrje që Akademia të fillojë projekte që do të ndikonin më shumë në zhvillimin e shoqërisë, shtetit dhe shkencës. Natyrisht krijuesit shkencor dhe artistik, pa dallim përkatësie kombëtare dhe fetare, duan të kontribuojnë në këtë institucion shumë relevant, dhe prezenca dhe kontributi i tyre korrespondon me vlerat shkencore, artistike dhe të tjera që ata keni.

Në këtë kontekst, do të hap pyetjen – cili është qëndrimi shkencor i MANU-së për gjendjen sociale të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë? Shtroj pyetjen sepse situata në këtë sferë është shumë e ndjeshme. Fakti që një numër qytetarësh vazhdojnë të mbeten jashtë kujdesit shtetëror krijon shumë dyshime dhe skepticizëm mes tyre. Këta qytetarë sot, nesër ose në të ardhmen e afërt, revoltën e tyre mund ta shprehin me sjellje negative dhe qëndrim negativ ndaj shoqërisë. Revolta e tyre do të tregojë edhe mendjet e mbledhura në MANU dhe do të shtrojnë të njëjtën pyetje – cili ishte roli i akademikëve në këtë institucion në ndërtimin e vizioneve të një mirëqenieje dhe jetës më të mirë që qytetarët duhet të kenë. Natyrisht, një sërë pyetjesh të tjera mund të ndjekin: nëse politika zbatohet me ligje të pranueshme; sa respektohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve; cili është ndikimi i MANU në zhvillimin ekonomik, në proceset euroatlantike etj.

Vaclav Havel, duke folur për rolin e intelektualëve, mendjen e një vendi, ndër të tjera theksoi: “Intelektualët kanë të drejtë të mendojnë për të ardhmen, të imagjinojnë se çfarë mund të jetë ajo. Por detyra e tyre, prioriteti i tyre kryesor, sipas meje, është të kuptojnë të tashmen, të kuptojnë krizat e saj dhe t’i emërtojnë ato. Kështu lind një vetëdije e vërtetë e perspektivave. “