Ahmeti: Ramazan të bekuar për të gjithë besimtarët. Muaji i mëshirës dhe reflektimit

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Ramazani.

Përmes një mesazhi publik, Ahmeti thekson se me ardhjen e muajit të shenjtë hapet një kapitull i veçantë reflektimi, përkushtimi dhe afrimi me Krijuesin. Sipas tij, Ramazani është më shumë se agjërim, duke e cilësuar si një shkollë durimi, solidariteti dhe pastrimi shpirtëror.

Ai nënvizon se ky muaj përbën një thirrje për forcimin e besimit, shtimin e veprave të mira dhe ndarjen e frymës së mëshirës e mirëkuptimit mes njerëzve.

“Në këtë muaj të bekuar, uroj që çdo lutje të gjejë pranim, çdo sakrificë të shpërblehet dhe çdo familje të mbushet me paqe, harmoni dhe begati. Ramazan të bekuar për të gjithë besimtarët”, thuhet në mesazhin e liderit të BDI-së./TS