Ahmeti: Nuk jemi larg zgjidhjes së problemit me Bullgarinë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka thënë se politikbërja në vend për momentin ka shumë fuqi dhe vullnet për t’i përmbyllur problemet, krejt këtë duke e ndërlidhur për marrëveshjen me Greqinë dhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, shumicën parlamentare dhe kryeministrin e ri po edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare gjatë pjesëmarrjes në Televizionin 7 të Kosovës.

Ahmeti tha se nuk jemi larg zgjidhjes së problemit me Bullgarinë.

“Kemi kontakte të mira me ndërkombëtarët, kemi kërkuar lehtësim, na u ofrua, nga presidenti Makron dhe shteteve tjera, nuk jemi larg zgjidhjes. E thashë, është draft marrëveshje të cilën e ka hartuar pasi dëgjoi palët, presidenti Makron, drafti u është dërguar palëve në BE, pasi të dakordohen ata u dërgohen palëve që e kanë kontestin e hapur. Pasi të prononcohen anëtaret e BE-së edhe ne do ta kemi për shqyrtim draftin, nëse janë të përfshira kërkesat tona për heqjen e vetos në fund të qershorit”, u shpreh Ahmeti, duke shtuar se MPJ-ja, Qeveria, kryeministri dhe zëvendëskryeministrat janë të angazhuar me kapacitet të plotë dhe siç tha, “shpreson që do të ketë epilog”.

Duke folur për opozitën dhe zgjedhjet e parakohshme ai se zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe nënvizoi se zgjedhje do të ketë në datën e rregullt në vitin 2024.

Ai tha se kur do që organizohen zgjedhje ato në kampin shqiptarë bindshëm i fiton BDI, mirëpo tha se ka vija të kuqe për partitë që kontestojnë Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës dhe kundër integrimit në BE. Deklaroi se duhet të respektohet parimi “fitues” dhe se ai që i fiton zgjedhjet në kampin politik shqiptarë duhet t’i përfaqësojë ata në Qeveri.

Duke folur për “Ballkanin e Hapur” dhe mungesën e Kosovës, kreu integrist madje tha se nuk pajtohet dhe nuk i pëlqen përplasja nga distanca dhe shton se në Kosovë është duke u rritur hasmëria kundër siç thotë “nënës” Shqipëri.

“Nuk më pëlqen përplasja e figurave të larta. Po e vërej një anti-Shqipëri në Kosovë, por nuk shihet në Shqipëri. Vërehet në studio, letra të shkruara, po i dëgjoj, shikoj me dhimbje. Çështjet e familjes gjykohen dhe shikohen brenda shtëpisë. Shqipëria është shteti amë. Nëna sado që është e keqe nuk zëvendësohet me asgjë. Duhet të jemi kujdesshëm. Nuk duhet t’i kthejmë fjalën nënës, sepse e hidhërojmë”, tha Ahmeti.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti madje në këtë bisedë ka treguar nëse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë në Samitin e Ohrit që do ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti. Ahmeti ishte i pranishëm në këtë samit dhe thotë se assesi nuk është e vërtetë kjo.

“Jo assesi. Kjo s’ka qenë fare bisedë”, tha ai në emisionin në T7.

Tutje ai tregon se me Ramën ka biseduar për atë se si t’u bëhet e ditur autoriteteve në Kosovë se për çfarë është nisur iniciativa e Ballkanit të Hapur. Ahmeti thotë se Kosova nuk humb asgjë nëse i bashkohet Ballkanit të Hapur dhe do të përfaqësohet si e barabartë me shtetet tjera.

I pari i BDI-së ka treguar në emisionin madje se çfarë ka biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e Ohrit për Ballkanin e Hapur.

“E thashë para Vuçiqit. Më tha z.Ahmeti, e tha me fjalë të urta. ‘Do na provosh pas një viti’. U ktheva nga Edi. Më tha s’kam çfarë të shtoj. Më tha se pas një viti frytet do të shihen…”, thekson Ahmeti.

Ai tha se krerët e Kosovës dhe Serbisë duhet ulen e të diskutojnë për zgjidhjen më të mirë.

“Sipas informatave që unë i kam, aktualisht politika serbe nuk është e interesuar të rikthejë Kosovën. Aktualisht qëndron ajo që e thashë më herët që më është pohuar nga ambasadori i Serbisë. Kjo është çështje që duhet të vendoset në tavolinë, sepse këtu tashmë ke të bësh me temë dhe problematikë krejtësisht tjetër, për ndryshim, e jo korrigjim e demarkacion”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.