Ahmeti nga MPJ: Në Qendrën Operative s’ka pasur nga Pacolli kërkesë për kthim – nëse ndodhë do të ishte shkelje

Një kthim i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli nga Zvicra për në Kosovë është raportuar se mund të ndodhë tash.

Por për këtë nuk ka pasur kërkesë nga vet ai.

Kështu ka thënë Kreshnik Ahmeti, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca.

“Për rastin në fjalë, nuk ka pasur asnjë kërkesë të adresuar tek Qendra Operative, siç ka ndodhur për të gjitha rastet deri më tash. Unë jam pjesë e të gjitha komunikimeve për kthimet e qytetarëve dhe mund të them që kërkesa për z. Pacolli nuk është adresuar në Qendrën Operative ashtu siç do të duhej. Në rast se është e vërtetë që është dhënë pëlqimi për fluturimin, atëherë kjo do të ishte shkelje e procedurave të cilat i kemi vendosur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

“MPJD është në komunikim të vazhdueshëm me Qendrën Operative ku bëjnë pjesë edhe Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit. Të gjitha kërkesat për kthim në Republikën e Kosovës administrohen nëpërmjet Ambasadave tona dhe adresohen në Qendrën Operative në fjalë”.

Ahmeti ka theksuar se pa lejen e Ministrisë së Shëndetësisë asnjë person nuk mund të hyjë në vend.

“Deri më tani kemi kthyer grupe të shumta të qytetarëve, por kemi lejuar edhe kthime individuale vetëm për raste emergjente. Të gjitha këto kthime janë bërë pas adresimit të kërkesës tek Qendra Operative dhe pas dhënies së lejes nga Ministria e Shëndetësisë. Pastaj, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit e ka koordinuar dhe ka dhënë pëlqimin për fluturimin drejt Republikës së Kosovës. Pra, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, pa lejen e MSh në Kosovë nuk mund të hyjë asnjë person”.

Për kthimin e Pacolli në Kosovë është raportuar se mund të ndodhë për shkak të mundësisë së përfshirjes së tij në Qeverinë e re.