Ahmeti: Kurti nuk ka legjitimitet për ta bërë marrëveshjen

Bardh Ahmeti nga Partia SocialDemokrate e Kosovës, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka legjitimitet për ta bërë marreveshjen, për të cilën sot Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë zhvilluar takime me ndërmjetësit e BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi.

Ahmeti tha se kryeministri Kurti ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar këtë marrëveshje e sot sipas tij, i njëjti po e pranon marrëveshjen e cila brenda saj ka edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Po i bëjmë ftesë edhe sot Kurtit që të tërhiqet nga kjo aventurë, sepse Kurti nuk ka legjitimitet për ta bë këtë marrëveshje. Ai ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar këtë marrëveshje, Kurti ka gjuajtur vet sprej në Kuvendin e Kosovës për mos me u bë kjo marrëveshje, ndërkohë që sot kur është kryeministër i vendit është pikërisht ai që po e shtynë këtë marrëveshje. Prandaj ne po e lusim që ti mbajë fjalët për të cilat ka ardhur në pushtet, të mos e pranojë Asociacionin e që nëse nuk ka guxim që ta refuzojë atë atëherë le të jepë dorëheqje, sepse nuk ka kuptim, nuk ka legjitimitet ky kryeministër…”, tha ai në Tëvë1.

Ndryshe pak minuta më parë ka përfunduar takimi trepalësh i kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së Josep Borrell e Miroslav Lajçak i cili po mbahet në Ohër.