Ahmeti fton në front të përbashkët Evropian

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti mbrëmë ka vazhduar takimin me qytetarët e komunës së Tearcës, prej ku porositi se, fronti proevropian është shanse historik për gjeneratat e tjera dhe nuk duhet të lëshohet. Ai ka përsëritur edhe pro zbatimit të vetingut pasi me anëtarësimin në BE, siç u shpreh ai, do të rritet cilësia e jetës dhe do të ketë standarde më të mira.

“Unë as e ofendova Mickoskin por dhashë vetëm një deklaratë që ai e ka pa luftën veç në televizor, e kam thirr që të jetë pjesë e një fronti paqësor, për të një ardhmëri më të mirë në këtë vend. Këtë mision për një jetë më të mirë mund ta bëjmë vetëm duke u bashkuar pro BE” – tha Ali Ahmeti, BDI

Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski gjatë një tribune të mbajtur kuadër të shënimit të përvjetorit të Kryengritjes së Ilindenit dhe themelimit të VMRO-së, tha se në zgjedhjet e ardhshme synon të fitojë 62 deputetë.

“Shumë shpejtë do ta kemi mundësinë. Do ta kemi mundësinë, do të vijnë zgjedhjet, VMRO – DPMNE do të fitojë. Të jeni të sigurt se, VMRO – DPMNE do të fitojë. Askush më nuk ka dilemë, madje po të pyesni edhe Kovaçevski dhe Ali Ahmetin ato do t’u japin përgjigje. Të paktën një gjë është konstanta, kurdo që të mbahen zgjedhjet VMRO – DPMNE do të fitojë. Çështja është nëse do të jenë 55, 58, 60, 62 deputetë. Vetëm kjo është dilema, tjetër dilemë nuk do të ketë” – Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO–DPMNE – së.

Synimi i VMRO – DPMNE -së për të fituar mbi 60 deputetë në zgjedhje nuk është diçka e re. Kujtojmë se, ish kryeministri Nikolla Gruevski, në vitin 2015 kërkonte që partia të fitojë 63 deputetët, duke thënë se nëse marrin më pak, do të ketë kantonizim dhe federalizim të shtetit do të zbatohet dygjuhësi më gjithë territorin e vendit dhe maqedonasit do të detyrohet që të mësojnë gjuhën shqipe. /KlanMacedonia/