BDI po bën përgatitjet e fundit për kongresin partiak të 20 dhjetorit. Sot kreu i këtij subjekti ka mbledhur organet partiake për t’u informuar se deri ku kanë arritur me përgatitjet. Ajo që mësohet nga burime brenda partiake është se Ahmeti ka vendosur të ndryshon të gjitha strukturat partiake dhe krerët e degëve, duke marr përsipër drejtën që t’i emëron ato drejtpërdrejtë pa konsultime me degët.
Në kongres pritet të ketë disa pika: e para shqyrtimi dhe analiza e rezultatit të dobët zgjedhor dhe humbja e komunave më të mëdha nga ana e BDI-së, përkatësisht nga koalicioni AKI; Shkarkimi i të gjitha strukturave dhe ndalimi i të drejtës së rizgjedhjes së nënkryetarëve: Arbana Pasholli, Arbër Ademi, Bajram Rexhepi e Bujar Osmani, përfshi edhe sekretarin organizativ Blerim Bexheti dhe sekretarin e përgjithshëm, Faton Ahmeti; si dhe ndryshimi i kryesisë qendrore duke pasqyruar përfaqësimin në përputhje me reformat e udhëheqësve të degëve. Sipas të njëjtave burime, pozicionet partiake fillimisht do t’i takojnë degëve dhe strukturave që kanë treguar rezultat më të mirë zgjedhor.
Burime nga BDI në rrethana jo zyrtare bëjnë të ditur se një nga pikat që do të diskutohet është edhe shqyrtimi i statusit politik të besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim. Pas shkëputjes së Menduh Thaçit dhe Ziadin Selës, Ahmeti nuk ka mohuar ambiciet për ta pastruar BDI-në dhe për ta larguar atë nga aleanca që në këto zgjedhje i solli rezultatin më të dobët historik këtij subjekti.
Deri tani nuk ka asnjë kandidat i cili ka shprehur gatishmëri t’i dalë kundër Ahmetit për kryesimin e partisë. /Alsat.mk




