Ahmeti dhe Rama diskutuan për ecurinë e realizimit të Korridorit 8

Tiranë, 24 Shkurt – Pas vizitës së realizuar në Prishtinë, kryetari i
Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti i shoqëruar nga bashkë
partiakët dhe bashkëpunëtorët e tij, zëvendëskryeministri i parë i
Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Sistem
Politik, Artan Grubi, ministri i punëve të Jashtme, Bujar Osmani,
ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik
Bekteshi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe ministri i
Mjedisit Jetësor dhe i Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini po
qëndrojnë për vizitë pune në Tiranë.

Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti dhe kryeministri i Shqipërisë, z. Edi
Rama gjatë këtij takimi biseduan mbi rëndësinë e funksionimit sa më parë
të sistemit një sportelesh One Stop Shop në pikat kufitare mes
Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe me këtë edhe për liberalizimin
edhe më të madh të lëvizjes së qytetarëve tanë.

Ndërtimi i Korridorit 8-të dhe 10-D si dhe ngritja e hekurudhës që do të
lidh Detin e Zi dhe Detin Adriatik prej Republikës së Bullgarisë, përmes
Republikës së Maqedonisë së Veriut e deri në Republikën e Shqipërisë,
rruga e Arbërit si një arterie tejet e rëndësishme për të dy vendet,
lidhja energjetike Manastir – Elbasan si dhe shumë projekte të tjera
ishin gjithashtu pjesë e diskutimit mes kryetarit Ahmeti dhe
kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Gjatë këtij takimi u këmbyen mendime edhe mbi rëndësinë e shfrytëzimit
të portit të Durrësit nga ana e qytetarëve por edhe bizneseve të
Republikës së Maqedonisë së Veriut, si një hap shumë i rëndësishëm që do
të ndikojë pozitivisht në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe shkëmbimit
tregtar jo vetëm mes dy vendeve tona por edhe vendeve të të gjithë
Ballkanit Perëndimor.

Kryetari Ahmeti dhe kryeministri Edi Rama me këtë rast kanë biseduar
edhe për perspektivën e integrimit të të dy vendeve në Bashkimin
Europian si dhe dialogun me Bullgarinë përfshirë këtu pritshmëritë për
zhbllokimin e rrugës për marrjen e datës dhe fillimin e bisedimeve për
anëtarësim.

Në fund të këtij takimi z. Ali Ahmeti dhe z. Edi Rama kanë vlerësuar se
kufijtë e të dy vendeve janë të sigurta, ndërkohë që në bashkëpunim me
vendet tjera anëtare të NATO-së dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të
Amerikës po bëhen përpjekje maksimale që qëndrimi i Republikës së
Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë të mos dallojë në
asnjë mënyrë nga qëndrimet e fuqive të mëdha mike.