Agjentët rusë “besojnë se Putin është i sëmurë terminal”?

Spekulimet për shëndetin e Vladimir Putin kanë qarkulluar prej vitesh, por që nga pushtimi i Ukrainës ato janë intensifikuar. Së fundmi, revista New Lines raporton se ka marrë një regjistrim audio të një oligarku pranë Kremlinit, i cili e përshkruan presidentin rus si “shumë të sëmurë me kancer në gjak”, megjithëse lloji i kancerit të gjakut nuk specifikohet.

Ai thotë se një “memo top-sekrete” u dërgua nga selia e FSB, agjencia ruse e sigurisë së brendshme, për të gjithë drejtorët e saj rajonalë. Christo Grozev, kreu i hetimeve në Bellingcat, një website i mirënjohur i kërkimeve mjeko-ligjore, thotë: “Shefat rajonalë u udhëzuan që të mos u besonin thashethemeve për gjendjen terminale të presidentit”.

Revista vazhdon të detajojë dëshmitë e sëmundjeve të dukshme fizike të vuajtura tek udhëheqësi rus, përfshirë problemet në ecje të Putin. I referohet gjithashtu pamjes së tij të ndryshuar në kohët e fundit, përfshirë faktin që fytyra e tij tani është dukshëm më e fryrë dhe sugjeron që kjo mund të nënkuptojë një formë mjekimi për një sëmundje.

“Putini ka qenë gjithmonë një burrë me pamje shumë në formë dhe fizik paksa të dobët. Por gjatë dy viteve të fundit, ai duket i mbushur në fytyrë e qafë, gjendje që mund të lidhet me përdorimin e steroideve”, tha për New Lines, Ashley Grossman, profesoreshë e endokrinologjisë në Universitetin e Oksfordit

Sky News, që përcjell artikullin, shkruan se pretendime të tilla rreth shëndetit të Putinit, natyrisht nuk mund të verifikohen dhe ata në Rusi që mund të dëshirojnë të rrëzojnë liderin do të kishin një interes të madh në përhapjen e thashethemeve të tilla.