Agjencia për Qasje të Lirë në Informata nuk funksionon prej tre muajsh

Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik në Maqedoninë e Veriut tashmë tre muaj është jashtë funksionit dhe pa drejtor në krye të saj, raporton Portalb.mk.

Pas përfundimit të mandatit të drejtoreshës në dhjetor 2025, nuk është zgjedhur drejtor i ri.

Me këtë janë ndalur të gjitha funksionet e Agjencisë, ndërsa 15 të punësuarit që nga 3 dhjetori nuk kanë marrë as paga.

Është ndërprerë edhe interneti dhe nuk funksionon as faqja e internetit e këtij institucioni.

Nga Kuvendi i RMV-së kanë bërë të ditur se propozim-vendimi për shpalljen e konkursit publik për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik u miratua në seancën e Kuvendit më 25.02.2026, ndërsa konkursi do të shpallet të hënën, më 02.03.2026.

Duke pasur parasysh procedurën për zgjedhjen e drejtorit të ri, edhe gjatë muajit mars Agjencia pritet të jetë e paralizuar.

Opozita ka akuzuar se pushteti po manipulon për të siguruar drejtor të përshtatshëm partiak për këtë institucion të rëndësishëm.

Paralizimi i këtij institucioni ka ndikuar direkt në punën e mediave, të cilat nuk kanë ku të ankohen në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të tyre për informata.

Ndryshe, Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, në vitin 2024 ka trajtuar reth 350 ankesa, ndërsa në vitin 2025 ka trajtuar rreth 580 ankesa nga individë apo organizata të cilëve u ishte penguar e drejta për qasje të lirë në këto informata.