Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njofton se po monitoron vazhdimisht situatën me shfaqjen e lisë te delet dhe dhitë dhe po ndërmerr masa për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes, përcjell TV21. Nga AUV bëjnë të ditur se pas marrjes së informacionit për një rast të dyshimtë, merren mostra të gjakut dhe strisho për të konfirmuar praninë e virusit.
“Pas konfirmimit të sëmundjes, drejtori i AHV-së merr vendim për zbatimin e masave kontrolluese dhe mbrojtëse, me ç’rast kryhet eutanazia e kafshëve dhe groposja e tyre”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
AUV thekson se ekipet veterinare janë vazhdimisht në terren dhe se gjendja po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Sa i përket vaksinimit, Agjencia thotë se ka kërkuar donacione vaksinash nga Komisioni Evropian dhe Republika e Turqisë, ndërsa është kërkuar sërish ndihmë edhe nga ekipi EUVET i Komisionit Evropian.
“Pas marrjes së përgjigjes për vaksinimin, do të bëhet testimi i sigurisë dhe pastërtisë së vaksinës, pas së cilës do të fillojë vaksinimi”, njofton AUV.
Agjencia paralajmëron blegtorët që të mos kryejnë vaksinime në mënyrë të pavarur.
“Çdo vaksinim me shpenzime të vetë blegtorit, pa vaksinim të miratuar nga Agjencia, do të sanksionohet dhe nuk do të bëhet kompensimi i kafshëve të sëmura, përkatësisht dëmshpërblimi për kafshët e asgjësuara”, theksohet në njoftim.





