Agim Veliu mbetet pa kompetenca të kryetarit të LDK-së në Podujevë

Pas disa herëve kandidimi për kryetar të LDK-së, Agim Veliu, sivjet nuk do të jetë më kandidat në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Emri i ri që sot LDK-ja ka zyrtarizuar është Ekrem Hyseni, të cilit do t’i kalojnë edhe kompetencat që i duhen për organizimin e zgjedhjeve atje, njofton Klan Kosova.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së tha se kompetencat e Veliut tanimë do t’i ketë Hyseni si kandidat.

“Ekrem Hysenit i kanë kaluar të gjitha kompetencat organizative të degës, shtabit zgjedhor dhe të garës së ardhshme zgjedhore. Vendimet janë thuajse të njëjta për secilën komunë ku kryetarët aktualë do të kenë kompetenca të organizimit strukturor të LDK-së me qëllim të reformimit të degëve”.

“Kemi kandiduar ata që kanë gjasa më të larta dhe Agim Veliu s’ka pasë ambicie për të garuar për kryetar të komunës dhe kemi zgjedhur Ekrem Hysenin që do ta rikthejë Podujevën”.

Abdixhiku ka thënë se përmes kandidatëve të zyrtarizuar synon që të sjellin risi për qytetarët dhe alternativa të reja.