Agim Çeku mbush 65 vjet, bashkëluftëtarët e nderojnë me uniformën e veteranit të UÇK-së

Agim Çeku, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka mbushur sot 65 vjet.

Ish-kryeministrit të vendit për urime sot i kanë shkuar në grup miqtë dhe ish-bashkëluftëtarët e UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.

Në një postim në Facebook, Muharrem Mahmutaj, ish-ushtar i UÇK-së, ka deklaruar se Çekut i dorëzuan uniformën solemne të veteranit të UÇK-së, në shenjë respekti për kontributin e tij të pamatshëm në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe forcimit të ushtrisë dhe shtetit të Kosovës.

“Secili do të dëshironte të kishte tregimin jetësor si të gjeneral Agim Çekut, i cili ka bërë histori në dy shtete dhe në dy luftëra çlirimtare, në Kroaci dhe në Kosovë”, ka thënë Mahmutaj.

Në fund, ai uroi Çekun duke theksuar se për ushtarakët si Agim Çeku nuk ka moshë pensionimi. Sipas tij, ata janë gjithmonë në shërbim të lirisë dhe atdheut.