Ageler për Korridoret 8 dhe 10: Ato janë me rëndësi kyçe për Maqedoninë

Ambasadorja amerikane Angela Ageler, në një intervistë për TV21, theksoi se është “shumë e kënaqur” me përparimin e punimeve ndërtimore në Korridoret 8 dhe 10, të cilat po realizohen nga “Bechtel dhe Enka”.

“Jam veçanërisht e kënaqur për Korridorin 8, jo vetëm sepse në të punon një kompani amerikane e nivelit të lartë, por edhe sepse nga perspektiva e NATO-s dhe sigurisë strategjike, këto korridore janë kyçe,” tha Ageler.

Ajo theksoi se korridoret nuk e forcojnë vetëm sigurinë e shtetit, por do ta rrisin ndjeshëm edhe tregtinë.

“Do të jenë fantastike. Pata mundësi të vizitoj disa zona ndërtimi dhe më gëzon shumë përparimi,” tha ambasadorja.

Ageler përshëndeti edhe bashkëpunimin ndërmjet ministrave të transportit të Maqedonisë dhe Bullgarisë, duke e cilësuar marrëveshjen e tyre të përbashkët si “jashtëzakonisht të rëndësishme”, pavarësisht vështirësive politike:

“I përgëzoj për guximin. Ishte një punë e madhe,” u shpreh Ageler.

Ambasadorja, me buzëqeshje, shtoi se edhe pse pas dy vitesh nuk do ta mbajë më këtë funksion, do të rikthehet në vend për të udhëtuar në autostradën e re ose me tren nëpër tunel.

Sipas Ageler, edhe Korridori 10 ka rëndësi të njëjtë: “Do të jetë thelbësor për ekonominë dhe sigurinë.” Ajo përsëriti se projektet kanë peshë të madhe për shtetin dhe shprehu kënaqësi të sinqertë për përparimin e deritanishëm.