Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim me një delegacion nga Parlamenti i Suedisë (Riksdagu), Grupi i Miqësisë me Maqedoninë e Veriut, të kryesuar nga znj. Lota Xhonson Fornarve.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer parlamentar mes dy vendeve, mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i jep Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për forcimin e proceseve demokratike dhe lidhjeve ekonomike dypalëshe.
Kryeparlamentari Gashi shprehu kënaqësinë që partnerët suedezë e njohin dhe vlerësojnë angazhimin e institucioneve të vendit për reformat, duke theksuar se Suedia mbetet një mbështetëse e fortë e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Jam veçanërisht i kënaqur që partnerët suedezë e njohin angazhimin tonë për reformat dhe e mbështesin perspektivën tonë evropiane, ndërsa bashkëqytetarët tanë në Suedi janë një urë e rëndësishme që na lidh në mënyrë plotësuese,” theksoi Gashi.






