Afganistan, Ashraf Ghani rizgjidhet president

Presidenti Ashraf Ghani premtoi sot se do të sjellë paqen në vendin e tij të shkatërruar nga lufta, ndërsa festoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, që i dhanë atij mandatin e dytë presidencial.

Në një fjalim në televizion, Ghani ia kushtoi fitoren e tij popullit dhe republikës.

Pas më shumë se katër muajsh vonesë, Komisioni i Pavarur Zgjedhor tha sot se Ghani kishte siguruar 50,64 % të votave në zgjedhjet e shtatorit.

Rivali i tij kryesor dhe partneri në qeverinë e Bashkimit Kombëtar, Abdullah Abdullah, fitoi 39,52 % të votave, njoftoi kreu i Komisionit të Pavarur Zgjedhor, Hawa Alam Nuristani, në një konferencë për shtyp, në Kabul.

Abdullah i kundërshtoi rezultatet përfundimtare, duke thënë se ishte një grusht shteti kundër demokracisë dhe tradhti kundër vullnetit të popullit.

Ai i njoftoi mbështetësit e tij se do të formojë një qeveri gjithëpërfshirëse.