Afera korruptive në FFM, të gjithë të dyshuarit nën masa sigurie

Prokuroria Publike e Maqedonisë ka njoftuar se të gjithë të dyshuarit në rastet korruptive në Federaton e Futbollit të Maqedonisë janë nën masa sigurie, raporton Portalb.mk.

“Sot janë caktuar masa paraprake për dy të dyshuar dhe masë arresti shtëpiak për një person, kështu që të gjithë të dyshuarit janë siguruar dhe nuk na mungon askush”, informoi Prokuroria Publike.

Më 18 qershor, persona të autorizuar të Drejtorisë së Policisë Financiare, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke vepruar sipas urdhrave të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake, e në koordinim dhe nën drejtimin e prokurorit publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kryen kontrolle në shtëpi, hapësira afariste dhe te persona në disa lokacione në Shkup. Ky aksion rrjedh nga një kallëzim penal i paraqitur më parë nga Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurori.

Gjithashtu, përfshihen edhe tetë persona juridikë, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprat penale “Përvetësim në shërbim” dhe “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”.

Sipas provave të siguruara në procedurën parahetimore, i dyshuari i parë, Ilço Gjorgjioski, në cilësinë e kryetarit të FFM-së, së bashku dhe me marrëveshje paraprake me të dyshuarën – udhëheqëse e Departamentit për Financa dhe Kontabilitet – në periudhën nga 1 janar 2015 deri më 25 korrik 2018, përmes disa veprimeve të lidhura kohore dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për persona të tjerë, kanë përvetësuar mjete financiare të besuara në shërbim në shumën totale prej 127.451.156 denarë.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, për herë të dytë një ish-drejtues i FFM-së përfundon në paraburgim për akuza serioze për krim financiar. Më pak se dy muaj më parë u arrestua edhe Muamed Sejdini, i akuzuar për përvetësimin e 700.000 eurove, donacion nga UEFA për ndërtimin e një tribune në stadiumin e Ohrit.