Aeroplanët luftarakë britanikë penguan një aeroplan rus për patrullim detar, pasi ai “në mënyrë të përsëritur” iu afrua një grupi sulmues me aeroplanmbajtëse në Detin Norvegjez, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Aeroplani rus “Bear-F” kaloi në një lartësi të ulët dhe “në masë të panevojshme afër” aeroplanmbajtëses “HMS Princi i Uellsit” dhe besohet se ka lëshuar të paktën 10 pajisje për zbulimin e valëve zanore në ujë të enjten, tha më tej kjo ministri, raporton televizioni BBC.
Ministria e Mbrojtjes tha se aktiviteti i forcave ruse në Detin Norvegjez ishte “i pasigurt dhe joprofesional”.
Grupi sulmues britanik me aeroplanmbajtëse aktualisht është i dislokuar afër Islandës nën komandën e NATO-s, me 1.500 pjesëtarë personeli në anijet që e përbëjnë.
Grupi përbëhet nga aeroplanmbajtësja “HMS Princi i Uellsit”, anija shkatërruese “HMS Duncan”, aeroplanë luftarakë F-35, helikopterë të tipave “Merlin” dhe “Wildcat” si dhe mbështetet nga cisterna “RFA Tidespring”.
Kjo është hera e parë që NATO-ja kryen operacione të patrullimit ajror nga një aeroplanmbajtëse evropiane.
Forcat britanike u përpoqën që të kontaktonin me aeroplanin rus në frekuenca ndërkombëtare, por ai nuk u përgjigj./Nacionale



