Aeroplanat e Turqisë ballë për ballë me aeroplanat e Rusisë mbi qiellin e Libisë

Situata në Libi po bëhet çdo ditë më kaotike, dhe rrezikon të kthehet në burimin e një konflikti që mund të përballë fuqitë e mëdha.
Nga përmbysja e qeverisë së Gedafit në 2011, vendi është i ndarë në të paktën dy pjesë, ku rolin e qeverisë legjitime e mban qeveria e Tripolit të kryesuar nga Fajez Serraj, dhe e njohur nga OKB.
Ndërkohë, pjesa lindore e vendit me kryeqendër Tobruk është faktikisht nën kontrollit e gjeneralit Haftar, që pas mbështetjes fillestare të Shteteve të Bashkuara, për shkak të politikës së tij agresive ndaj Tripolit ka humbur Uashingtonin dhe i është drejtuar Moskës.
Pikërisht dje ministri i Brendshëm i Tripolit Fathi Bishaga ka deklaruar se forcat armike të kontrolluara nga Haftar janë përforcuar me një seri aeroplanësh ushtarakë të ardhur nga baza ushtarake ruse e Hmeimim në Siri.
Bëhet fjalë, sipas tij, për të paktën gjashtë Mig-29 dhe dy Sukhoi-24, që mund të kenë ndalur edhe në një bazë egjiptiane, nga momenti që Kairo është një tjetër aleat i Haftarit.
Forcat ruse në terren kanë qenë të shumta në mbështetje të Haftar, por kryesisht nga ana e kompanisë shumë të diskutuar të mercenarëve, e quajtur Wagner. Tashmë me arritjen e avionëve ushtarakë, mbështetja ruse merr formë gjithmonë e më zyrtare.
Falë mbështetjes së Moskës, gjenerali Haftar kishte përparuar deri në afërsi të Tripolit, por ishte zmbrapsur nga forcat turke pas marrëveshjes midis Serraj dhe presidentit turk Erdogan, me përdorimin e mjeteve të avancuara si dronet.
Por mbështetja e Putin për Haftar mund të kulmojë tashmë në një konflikt të hapur ajror. Vetë burimet nga Tobruk kanë deklaruar se po afron “fushata ajrore më e madhe që është parë në vend”.
Ky skenar shqetëson të gjithë kancelaritë ndërkombëtare, pasi rreziku i një përballje midis Moskës dhe Ankarasë mund të ndizte skenarin ndërkombëtar në një kohë kur tensionet nuk mungojnë, edhe për shkak të pandemisë globale.