Adrian Bajrami: Jam rritur shqiptar, por edhe Zvicra është vendi im

Mbrojtësi Adrian Bajrami, i cili më herët kishte luajtur tri ndeshje miqësore me Kombëtaren shqiptare, ka shpjeguar arsyet pse vendosi të përfaqësojë Zvicrën. Në një intervistë për median zvicerane 20min.ch, lojtari i Luzernit foli hapur për ndjesitë e tij dhe lidhjen e fortë me familjen e vendin ku ka lindur.

“Pas stërvitjes kthehem në shtëpi dhe jam me prindërit, me vëllezërit e motrat. Këtë kënaqësi nuk e kisha përjetuar për shtatë vite. Prindërit e mi e kanë ndërtuar gjithçka nga e para këtu dhe jam jashtëzakonisht krenar për ta, madje më shumë për ta sesa për veten time”, tha Bajrami.

Ai kujtoi me buzëqeshje edhe momentin kur kishte marrë rrogën e parë: “Ua ofrova prindërve, por ata nuk do të pranonin kurrë para nga unë. Janë shumë kokëfortë për këto gjëra.”

Duke folur për ndjenjat e tij mes dy identiteteve, Bajrami shtoi:

“Ndihem njëkohësisht shqiptar dhe zviceran. Jam rritur me traditat dhe gjuhën shqiptare, por kam lindur dhe jam formuar në Zvicër. Ky është vendi im dhe jam krenar që e përfaqësoj.”

Zvicra e Bajramit pas ndeshjes me Suedinë do të udhëtojë drejt Prishtinës për përballjen e fundit në kualifikime, një ndeshje që lojtari e cilësoi “të veçantë dhe me shumë emocion”.