Adhuruesit e reperit Tory Lanez me peticion kundër dënimit të gjykatës

Adhuruesit e reperit kanadez, Tory Lanez, e kanë filluar një peticion për ta hedhur poshtë dënimin e tij për qëllim me armë zjarri drejt artistes amerikane, Megan Thee Stallion.

Muzikanti 30-vjeçar po ballafaqohet me deportim nga Shtetet e Bashkuara dhe 22 vjet burgim, kjo pasi është shpallur fajtor për sulm me armë zjarri gjysmë automatike, mbajtje të një arme të karikuar dhe të paregjistruar dhe gjuajtje e armë nga pakujdesia e rëndë.

Sidoqoftë, adhuruesit e tij nuk janë të kënaqur me vendimin e gjykatës, duke e quajtur atë “një gabim i vërtetë drejtësie” dhe kështu e kanë nisur një peticion për ta hedhur poshtë dënimin.

Kjo vjen pasi juria e shpalli Lanezin fajtor për të tre akuzat, gjatë një gjyqi nëntë-ditor që përfundoi më 23 dhjetor.

Reperi, emri i vërtetë i së cilit është Daystar Peterson, nuk shfaqi ndonjë reagim fizik gjatë kohës sa po shpallej vendimi i gjykatës, dhe ai do të dënohet zyrtarisht më 27 janar të vitit të ardhshëm.

Në anën tjetër, avokatët e reperes Megan Thee Stallion e mirëpritën vendimin.

Pas vendimit, reperja 27-vjeçare u vlerësua nga Prokurori i Qarkut në Los Angeles, George Gascón, i cili deklaroi: “Dua të filloj duke theksuar trimërinë e Meganit. Ju treguat guxim të pabesueshëm me dëshminë tuaj, pavarësisht sulmeve të përsëritura dhe groteske që nuk i meritonit. Ju u përballët me një situatë të padrejtë dhe të neveritshme me të cilën asnjë grua nuk duhet të përballet kurrë, dhe keni qenë një frymëzim për të gjitha gratë në rajonin e Los Angelesit dhe mbarë kombit. Gratë, veçanërisht ato afrikano-amerikane, kanë frikë të raportojnë krime si sulmi dhe dhuna seksuale, sepse shpesh njerëzit nuk u besojnë atyre. Ky gjyq, për herë të dytë këtë muaj, nxori në pah mënyrat e shumta që shoqëria jonë duhet të veprojë më mirë për të arritur drejtësi për gratë”.

Gjatë gjyqit, Megan pranoi se e kishte të vështirë të jepte dëshmi. Ajo deklaroi se i vjen zor të qëndroj e ulur përballë njerëzve që kanë thurur gënjeshtra për të përfshirë këtu reperin Tory Lanez, dhe ta rrëfejë historinë e saj të dhimbshme. Synimi i yllit të hitit “Body” në këtë proces gjyqësor ishte të jetë e fortë dhe e guximshme.