Shumica parlamentare nuk po mendon për zgjedhje të parakohshme, por është e angazhuar për të siguruar një shumicë të kualifikuar në Kuvend prej 2/3-ve, që do të votonte ndryshimet kushtetuese. Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, i tha gazetës LAJM se Qeveria ka shumë projekte të rëndëishme për të realizuar deri në fund të mandatit dhe se aktualisht, njëri nga objektivet kryesore të maxhorancës është sigurimi i të paktën 80 votave në Kuvend, të nevojshme për ndryshimet kushtetuese, për të vazhduar rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE.
“Zgjedhjet parlamentare janë të parapara për vitin 2024. Kemi shumë punë të rëndësishme përpara vetes. Duhet t’i realizojmë të gjitha përcaktimet programore për të cilat jemi zotuar. Kemi mjaftë projekte të rëndësishme, si në aspektin infrastrukturor dhe jo vetëm, që janë të një rëndësie strategjike, jo vetëm për Maqedoninën e Veriut, por për mbarë rajonin dhe ne jemi zotuar që këto projekte t’i çojmë përpara dhe po punojmë me intensitet të lartë për t’i materializuar dhe jetësuar të njejtët. Prandaj, assesi nuk po mendojmë për zgjedhje të parakohshme, por po mendojmë për sigurimin e një shumice të kualifikuar dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në vitin 2024”, tha shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi për gazetën LAJM.