Aeanca Kombëtare për Integrim ka reaguar për ngecjen e procesit të eurointegrimit të vendit.
Nga AKI thonë se Mali i Zi dhe Shqipëria vazhdojnë përparimin në kapituj, teksa Maqedonia e Veriut mbetet në vendin e njejtë.
“Siç shihet nga të dhënat e fundit, Mali i Zi ka mbyllur disa kapituj negociues, Shqipëria është në fazë të avancuar me shumicën e kapitujve nën rishikim, ndërsa Maqedonia e Veriut, pavarësisht sakrificave dhe reformave të bëra ndër vite, vazhdon të mbetet e bllokuar pa kapituj të hapur e as të mbyllur. Ky realitet është rezultat i politikave bllokuese, paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të sinqertë nga qeveria aktuale, e cila as në plan nuk i ka ndryshimet kushtetuese që do të çlironin procesin eurointegrues të vendit. VLEN-i gënjeu para zgjedhjeve kur deklaronte se “nuk ka qeveri pa ndryshime kushtetuese”. Gënjeu përsëri kur premtoi se brenda 3 muajve, pastaj 6 muajve, e më pas edhe brenda një viti do të ndodhnin ndryshimet ose do të rishikonte pjesëmarrjen në qeveri. Me i nxjerr për dere, ata hynë për dritare në qeverinë që e ka sjellë projektin e ‘Botës Serbe’ këmbëkryq në Maqedoni”, tha Arbër Ademi nga AKI.
Sipas tij, kjo gjendje e dëmton drejtpërdrejt perspektivën evropiane të vendit dhe aspiratat e qytetarëve, sidomos të rinisë që ëndërron të ardhmen e saj në familjen evropiane.
“Mospërparimi i vendit tonë në drejtim të anëtarësimit në BE, sjellë edhe cenim dhe mosrespektim edhe të vetë Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. BDI kërkon përshpejtim të menjëhershëm të hapave drejt hapjes së kapitujve negociues, largim të politikave obstruktive dhe një angazhim të sinqertë e transparent në funksion të realizimit të objektivit strategjik të vendit, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Ademi.