Ademi i përgjigjet Mickoskit: Në Reçicë të Vogël janë marrë vendime të mëdha! S’ka forcë politike që e margjinalizon BDI-në

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi i ka quajtur nacionaliste dhe në funksion të politikës ditore, deklaratat e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili ditë më parë  tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare “për të mos lejuar që në Reçicë të Vogël të krijohet e ardhmja”. Mickoski u shpreh i sigurtë që do t’i fitojë 61 deputetë duke lënë të kuptohet përjashtimin e BDI-së nga Qeveria e ardhshme.  Mirëpo, Ademi në një prononcim për gazetën LAJM, tha se nuk ka forcë politike në Maqedoninë  e Veriut që mund ta margjinalizojë BDI-në.

“Bëhet fjalë për deklarata nacionaliste dhe nuk është asgjë e re sepse në këto 20 vitet e fundit nga partitë e ndryshme politike, nga kampi maqedonas kemi dëgjuar lloj-lloj deklaratash kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, kundër Ali Ahmetit si lider i shqiptarëve në vendin tonë dhe sigurisht, këto janë në funksion të politikës ditore për të maksimalizuar mbështetjen e partisë politike tek qytetarët që i kanë target që t’i përvetësojnë si votues dhe mbështetës të opsionit politik që e përfaqësojnë. Është për të ardhur keq një deklaratë e tillë sepse Republika e Maqedonisë së Veriut ka shkuar përpara dhe nuk na nevojiten polarizime në shoqëri se si nuk duheshka një shqiptarë të jetë ministër i punëve të jashtme, se si nuk duheshka z.Ali Ahmeti të kontribuojë për progresin e këtij vendi dhe të merr vendime për vendin tonë. Unë një gjë ju siguroj se në këto 20 vitet e fundit, Ali Ahmeti, BDI, në Reçicë të Vogël kanë marrë vendime me të cilat janë hapur perspektiva të mëdha për vendin tonë. Ju e dini se përcaktimi jonë kryesor ka qenë anëtarësimi i NATO, jemi në NATO. Përcaktim tjetër strategjik dhe jetik, është anëtarësimi i vendit në BE dhe po japim një kontribut të çmueshëm në këtë drejtim për arritjen e këtij objektivi strategjik. Është për të ardhur keq se në nismën e tij për bllokimin e Kuvendit, po bashkangjiten edhe disa shqiptarë të cilët janë të dehur nga dëshira për të ardhur në pushtet. Pra, po i bashkangjiten nismës së tij që shqiptarët mos të jenë faktorë në këtë vend. Por, unë ju siguroj që në vendin tonë mund të ketë aktorë të ndryshëm, por faktor është një dhe ai është Ali Ahmeti.

LAJM: A mund të anashkalohet BDI-ja nga Qeveria nëse në zgjedhjet e ardhshme, Mickoski fiton shumicën e deputetëve në Kuvend?

Arbër Ademi: Matjet e fundit të opinionit flasin për një rritje të mbështetjes së qytetarëve për BDI-në dhe për z.Ali Ahmeti. Dhe përderisa ekizston një mbështetje e tillë, nuk ka forcë politike që mund ta margjinalizojë BDI-në dhe rrjedhimisht, shqiptarët në këtë vend. Shqiptarët janë një element tejet i rëndësishëm në jetën politike të vendit dhe gjithmonë kanë dhënë një kontribut konstruktiv dhe do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre konstruktiv në krye me Ali Ahmetin sepse ka një mbështetje plebishitare nga qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët tjerë, si rezultat i politikave të matura, vizionare dhe progresive për vendin dhe shoqërinë.